Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se me ardhjen e qeverisë së tij do të ketë llogaridhënie për menaxhimin e parasë publike dhe vendimet e institucioneve. Në tubimin përmbyllës në Prishtinë, ai tha se PDK-ja po kërkon besimin e qytetarëve me program dhe zotime konkrete, duke premtuar se prioritet do të jetë qytetari.
Hamza, ka thënë se kjo Qeveri dhe kryeministri në ikje, nga e hëna do ta mësojnë një fjalë të re: llogaridhënien.
“Do të ketë llogaridhënie për paratë publike. Do të ketë llogaridhënie për vendimet e dyshimta. Do të ketë llogaridhënie për abuzimin me shtetin. Do të ketë llogaridhënie për çdo euro të taksapaguesve që është përdorur për interesa partiake e jo për qytetarët. Sepse shteti nuk është pronë e një njeriu. Paratë publike nuk janë fond partiak. Institucionet nuk janë mburojë për pushtetin. Në Republikën e Kosovës, pushteti buron nga qytetari. Dhe pushteti duhet t’i përgjigjet qytetarit”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se nuk janë para qytetarëve vetëm me fjalë, si të tjerët.
“Kemi ardhur me program. Kemi ardhur me vendime konkrete. Kemi ardhur me zotime të qarta. Nga dita e parë e Qeverisë sonë, prioriteti ynë do të jetë qytetari”, ka thënë Hamza.