Procesi i votimit me kusht në Qendrën e Votimit në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë ka nisur pa probleme. Sipas zyrtarëve të qendrës, vendvotimi është hapur me kohë dhe të gjitha materialet zgjedhore kanë arritur sipas planifikimit. Një nga risitë e këtyre zgjedhjeve është angazhimi i stafit shtesë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në tavolinën ndihmëse, me qëllim orientimin e votuesve që paraqiten për të votuar.
Menaxheri i kësaj qendre të votimit, Milaim Mazreku, tha se procesi po zhvillohet normalisht dhe se deri në orët e para të mëngjesit janë regjistruar dhjetëra votues.
“Deri në këtë moment kur po raportojmë, çdo gjë është në rregull. Vendvotimi është hapur me kohë, materialet jo sensitive kanë mbërritur dje me kohë. Sot materialet sensitive kanë arritur me kohë. Qendra e votimit është hapur në ora shtatë të mëngjesit dhe deri më tani, kur po raportojmë, në këtë pikë kanë votuar mbi 30 votues“, thekson ai.
I pyetur nëse ka dallime në numrin e votuesve krahasuar me zgjedhjet e kaluara, Mazreku tha se trendi mbetet i njëjtë.
“Jo, ky trend vazhdon. Kjo pikë, si zakonisht, mundet përafërsisht në zgjedhjet e dhjetorit, diku kanë qenë 3300 votues. Tash shifrat që përafërsisht, ndoshta në bazë të kësaj logjike, do të jetë e njëjta situatë deri kur të mbyllen kutitë e votimit në ora 19:00“, tha Mazreku.
Ndërkohë, ai vlerësoi si pozitive angazhimin e stafit shtesë nga KQZ-ja, duke theksuar se kjo po ndihmon në orientimin e qytetarëve brenda objektit.
“Ajo çka është risi, me përgëzuar KQZ-në për këtë rast, është se tash shihet që është edhe ndihmës menaxheri në tavolinën ndihmëse për orientim të votuesve. Kjo është risi që vërehet. Kurse palët e tjera nuk ka, megjithëse duhet të ketë edhe më shumë staf mbështetës, për arsye se objekti është me hapësirë të madhe dhe kështu kërkohet një menaxhim më i mirë, që t’i orientojmë votuesit dhe ta kenë procesin më të lehtë“, shtoi ai.

