Përfaqësuesit e parlamenteve studentore të universiteteve publike të Kosovës kanë bërë thirrje për bashkim dhe mbrojtje të asaj që e konsiderojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto deklarata u bënë gjatë marshit të organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, në shenjë proteste kundër vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësuesit studentorë nga Prishtina, Prizreni dhe Peja kanë theksuar rolin e studentëve në zhvillimet shoqërore e kombëtare, duke thënë se brezi i ri, edhe pse nuk e ka përjetuar luftën, e konsideron lirinë e sotme si rezultat të sakrificës së atyre që luftuan.
Granit Spahiu, nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, ka thënë se zëri i studentëve ka qenë pjesë e proceseve të rëndësishme të Kosovës dhe se ai do të vazhdojë të jetë i tillë.
“Pra, le ta dinë të gjithë se ky është zëri ynë si studentë, ky është zëri që e ka udhëhequr procesin e Republikës së Kosovës që nga viti ’89, dhe do ta udhëheqë sot e përjetë. Duke e respektuar UÇK-në”, tha ai.
Ndërsa Riad Bislimaj, nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prizrenit, ka thënë se studentët nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj diskutimeve për të kaluarën e Kosovës dhe sakrificën e atyre që luftuan.
“Sot Prizreni dhe Kosova është mbledhur për të folur. Dhe zëri që dëgjohet sot është zëri i studentëve, ne jemi një gjeneratë që nuk e kemi përjetuar luftën, por ne kemi lindur në lirinë që erdhi pas saj. Kemi ardhur në universitete, kemi ndërtuar ëndrra dhe kemi planifikuar të ardhmen sepse dikush para nesh luftoi që ne mund ta bëjmë këtë. Prandaj, kur preket e kaluara jonë, kur diskutohet sakrifica e atyre që luftuan dhe kur familjet e tyre vazhdojnë të mbajnë mbi supe peshën e asaj kohe, ne nuk mund të sillemi se nuk na përket. Na përket! Sepse liria që kemi sot është përgjegjësi, përgjegjësi për të kujtuar, përgjegjësi për të folur, përgjegjësi për të mos lejuar që historia e Kosovës të shkruhet pa zërin e Kosovës”, tha ai.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Parlamentit Studentor të Universitetit të Pejës, Leart Husaj ka thënë se studentët do të vazhdojnë të jenë të bashkuar në mbrojtje të asaj që e konsiderojnë të shtrenjtë dhe të rëndësishme për historinë e Kosovës.
“Studentët, si gjithmonë në ballë, studentët kanë qenë në ballë sa herë që i ka thirrë nevoja kombit shqiptar. Edhe sot do të jemi më të bashkuar, se kurrë për ta mbrojtur atë që e konsiderojmë më të shtrenjtë, ushtrinë çlirimtare të Kosovës, UÇK-në, UÇK. UÇK-ja është pjesë e historisë, kujtesë dhe identitetit tonë kombëtar. I bëjmë thirrje institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që jetojnë shqiptarët, që të jemi të bashkuar dhe që të mbajmë njëri-tjetrit për mbrojtjen e së vërtetës së historisë dhe dinjitetit të luftës për çlirim. Kombi shqiptar është një, ne jemi një, jemi shqiptarë dje, sot dhe përgjithmonë”, tha ai.
