Në Qendrën e Votimit në Shkollën “Gjergj Fishta” në Prishtinë, procesi i votimit po zhvillohet pa probleme dhe pa parregullsi të raportuara deri në orët e mesditës. Menaxherja e qendrës së votimit, Supije Zhitia, tha se gjithçka ka nisur sipas planifikimeve dhe se qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në një atmosferë të qetë, raporton Ekonomia Online.
Zhitia theksoi se qendra ka qenë e gatshme për procesin zgjedhor që nga ora 07:00 e mëngjesit.
“Jemi në Qendrën e Votimit 1915 në Shkollën ‘Gjergj Fishta’ në Prishtinë. Kjo qendër votimi ka gjithsej 6.890 votues me të drejtë vote. Procesi i votimit ka filluar me kohë dhe qendra ka qenë e gatshme që në orën 07:00 të mëngjesit. Janë tetë vendvotime në këtë qendër dhe, deri në këto momente, procesi ka shkuar mirë. Nuk kemi pasur asnjë parregullsi për ta shënuar. Tavolina mbështetëse është funksionale dhe personi përgjegjës për dhënien e informatave është në dispozicion të qytetarëve gjatë gjithë kohës”, tha Zhitia.
Ajo tregoi se deri në orën 13:00 kanë votuar 1.514 qytetarë, ndërsa bëri edhe një krahasim me zgjedhjet e mëparshme.
“Deri në orën 13:00 kanë votuar 1.514 votues nga gjithsej 6.890 sa kanë të drejtë vote në këtë qendër. Kjo i bie që rreth 22 për qind e votuesve e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre deri në këtë orë. Nëse e krahasojmë me zgjedhjet e dhjetorit, atëherë deri në orën 13:00 pjesëmarrja ishte 23 për qind. Pra, del se në këto zgjedhje deri tani kemi rreth 1 për qind më pak votues krahasuar me procesin e kaluar zgjedhor”, u shpreh ajo.
E pyetur për mbarëvajtjen e procesit dhe furnizimin me materiale zgjedhore, Zhitia tha se të gjitha përgatitjet janë kryer sipas planit dhe pa vonesa.
“Po, kemi qenë plotësisht në rregull me materialet zgjedhore. Që dje janë përgatitur vendvotimet dhe është sjellë materiali josensitiv. Ndërsa sot, para orës 06:00 të mëngjesit, kanë ardhur kryesuesit me materialin sensitiv. Nga informacionet që kemi deri më tani, gjithçka ka shkuar sipas procedurave dhe pa asnjë problem. Procesi ka filluar në kohën e paraparë dhe po vazhdon normalisht”, tha Zhitia.

