Gjoci: Procesi i votimit në “Gjin Gazulli” po zhvillohet qetë, pjesëmarrja më e ulët se në zgjedhjet e kaluara

Prishtinë | 07 Qer 2026 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Menaxheri i Qendrës së Votimit në shkollën “Gjin Gazulli” në Prishtinë, Bujar Gjoci, ka vlerësuar se procesi i votimit deri në orët e mesditës është zhvilluar pa probleme dhe në një atmosferë të qetë, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, qendra e votimit është hapur me kohë dhe të gjitha procedurat janë zhvilluar sipas planit.

“Procesi ka shkuar shumë i qetë. Qendra është hapur me kohë dhe gjithçka po shkon qetë. Edhe pse numri i votuesve nuk është ndonjë numër i madh, krahasuar me zgjedhjet e tjera është më i vogël, mirëpo në përgjithësi qetë është”, tha Gjoci.

Ai bëri të ditur se deri në orën 13:00 kanë votuar rreth 600 qytetarë, ndërsa në këtë qendër janë të regjistruar mbi 4 mijë votues.

“Rreth 600 persona kanë votuar deri në orën 13:00, ndërsa numri i përgjithshëm i votuesve është 4000 e diçka”, u shpreh ai.

Duke folur për fillimin e procesit zgjedhor, Gjoci tha se nuk ka pasur vonesa apo mungesë të materialeve zgjedhore.

“Kanë filluar me kohë, i kemi pasur materialet dhe s’ka pasur kurrfarë parregullsie”, deklaroi ai.

Megjithatë, sipas tij, janë shënuar disa keqkuptime të vogla që kanë të bëjnë me votuesit që kanë nevojë për asistencë gjatë votimit.

“Nga pak telashe kemi me këta që kanë nevojë për asistencë dhe nuk i kanë ato dokumentet e mjekut që duhet. Mirëpo, ka pasur nga pak keqkuptime, por në përgjithësi gjithçka është në rregull”, tha Gjoci.

Të ngjashme