Të paktën tre persona kanë humbur jetën pas një tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi Filipinet në orën 07:37 me kohën lokale (23:37 GMT).
Tërmeti është regjistruar pranë bregdetit të qytetit General Santos në ishullin Mindanao, ishulli kryesor jugor i vendit.
Sipas autoriteteve policore, nga lëkundjet janë plagosur edhe pesë persona të tjerë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Pas tërmetit, disa vende të rajonit, përfshirë Filipinet, Indonezinë dhe Japoninë, kanë lëshuar paralajmërime për cunami, të cilat më pas janë hequr në pjesën më të madhe.
Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë në Filipine ka bërë të ditur se tërmeti ka pasur një thellësi prej 10 kilometrash.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., ka urdhëruar mobilizimin e menjëhershëm të të gjitha agjencive relevante shtetërore, duke u bërë thirrje qytetarëve që të zhvendosen në zona më të larta për siguri.