Votimi me postë: KQZ ka aprovuar mbi 7 mijë pako me fletëvotime, refuzon 142 të tjera

Prishtinë | 10 Qer 2026 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka njoftuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Elezi për Ekonomia Online ka thënë se deri të mërkurën, në orën 10:00, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 7 mijë pako të supozuara me fletëvotime, nga të cilat 7,153 janë aprovuar, ndërsa 142 janë refuzuar.

Elezi bëri të ditur se arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, një dokument me të dhëna unike që KQZ-ja ua dërgon votuesve të regjistruar për votim me postë. Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 114 pako.

“Procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor në orën 16:00 dhe synon të verifikojë nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Pas përfundimit të këtij procesi, KQZ-ja do të publikojë numrin përfundimtar të pakove me fletëvotime që do t’i nënshtrohen numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”.

Ndërkohë, më 8 qershor është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës. Këto pako janë tërhequr nga 23 kuti postare të KQZ-së, të vendosura në 22 shtete të ndryshme dhe në Kosovë.

Sipas KQZ-së, nga këto kuti postare janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, ndërsa një pjesë e tyre tashmë janë transportuar në Kosovë për t’iu nënshtruar procesit të verifikimit.

Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 6 deri më 17 maj 2026, gjithsej 104,480 shtetas janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Të ngjashme