Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka përkujtuar 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, duke e cilësuar 12 Qershorin si një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit.
Në një postim në mediat sociale, Hoxha theksoi se kjo datë shënon fundin e një periudhe të dhimbshme të dhunës, represionit dhe spastrimit etnik, si edhe nisjen e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, paqes dhe ndërtimit të një të ardhmeje demokratike.
“Sot, në 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit, kujtojmë e nderojmë, me përulje e respekt, sakrificën e të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës”, shkroi ministri.
Ai vlerësoi gjithashtu përparimin e arritur nga Kosova në konsolidimin e shtetit dhe demokracisë, si dhe forcimin e rolit të saj në arenën ndërkombëtare.
Sipas Hoxhës, liria nuk duhet parë vetëm si një e drejtë e fituar, por edhe si një përgjegjësi që duhet ruajtur dhe forcuar për brezat e ardhshëm.
“Liria nuk është vetëm një e drejtë e fituar. Është përgjegjësi që ruhet dhe forcohet për brezat që vijnë”, përfundon mesazhi i ministrit me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës.