Omar Artan humb Botërorin për shkak të vizës, FIFA do ta paguajë gjithsesi gjyqtarin somalez

Prishtinë | 14 Qer 2026 | 14:28 | Nga Ekonomia Online

Gjyqtari somalez Omar Artan, të cilit iu refuzua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës para fillimit të Kupës së Botës 2026, do të marrë megjithatë pagesën e plotë të parashikuar nga FIFA për turneun, edhe pse nuk do të ketë mundësi të gjykojë në këtë kompeticion.

Sipas raportimeve, Artan u ndalua dhe u mor në pyetje për rreth 11 orë nga autoritetet amerikane të emigracionit në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit, përpara se t’i refuzohej hyrja në vend.

Autoritetet nuk pranuan pasaportën e tij diplomatike dhe vizën amerikane me hyrje të vetme.

Një zyrtar i qeverisë amerikane deklaroi se vendimi lidhej me një “lidhje të dyshuar me persona të lidhur me organizata terroriste”.

Megjithatë, Artan mohoi kategorikisht çdo akuzë dhe theksoi se nuk ka pasur asnjëherë lidhje me grupin militant somalez Al Shabab, për të cilin u pyet gjatë procedurës së verifikimit.

Pas deportimit, arbitri 34-vjeçar u kthye fillimisht nëpërmjet Turqisë, ku mori mbështetje nga zyrtarët e FIFA-s në Stamboll, përpara se të rikthehej në Mogadishu.

Pavarësisht përjashtimit nga Botërori, burime pranë BBC Sport bëjnë të ditur se FIFA ka vendosur ta kompensojë plotësisht arbitrin somalez.

Gjyqtarët marrin pagesat e tyre vetëm pas përfundimit të turneut, çka do të thotë se kontrata e Artanit mbetet e vlefshme edhe pse ai nuk do të jetë pjesë e ndeshjeve të Kupës së Botës.

Artan është një nga gjyqtarët më të vlerësuar në futbollin afrikan.

Ai u shpall “Gjyqtari i Vitit 2025” nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) dhe ka gjykuar në disa prej turneve më të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshirë Kupën e Botës U-20 në Kili, Kupën e Kombeve të Afrikës dhe finalen e Ligës së Kampionëve të CAF-it.

Ndërkohë, karriera e tij vazhdon të ecë përpara. Artan është ftuar të ndajë drejtësinë në ndeshjen e Superkupës së UEFA-s mes Paris Saint-Germain dhe Aston Villa, e cila do të zhvillohet më 12 gusht në Salzburg.

Pavarësisht pengesës së madhe që përjetoi në prag të Botërorit 2026, gjyqtari somalez ka bërë të ditur se synimi i tij mbetet pjesëmarrja në Kupën e Botës 2030.

Të ngjashme