Ballafaqimi mes agjendave vendore dhe atyre ndërkombëtare, i kombinuar me arrogancën e pushtetit, mungesën e bashkëpunimit, mungesën e parlamentarizmit dhe transparencës, po e çon vendin drejt zhvillimeve të paparashikueshme.
Këto zhvillime vendore dhe agjenda ndërkombëtare janë të pashmangshme (si për shumë vende të tjera) dhe natyrshëm krijojnë konflikt mes tyre. Problemi kryesor nuk është vetë konflikti mes tyre apo agjendat, por keqmenaxhimi, qeverisja e dobet, mungesa e transparences dhe paaftësia politike e institucionale e Republikës për t’i shtyrë përpara këto procese.
Natyrisht, progresi në Shqipëri është shume evident, por nuk mjafton.
Paaftësia politike, mungesa e kontrollit parlamentar dhe dobësia institucionale rrisin arrogancën e pushtetit dhe thellojnë konfliktin mes agjendave.
1. Të gjithë është dashur ta dinë se procesi i integrimit kërkon masa radikale kundër krimit e korrpucionit, “prerje kokash”, humbje pozitash, vendime të forta të rendit dhe ligjit, por edhe burgosje. Refuzimi për t’i ndërmarrë këto masa vetëm sa e rrit arrogancën e pushtetit dhe pakenaqesine qytetare.
2. Po ashtu, gjithmonë do të ketë oferta dhe projekte kontradiktore për investime. Kjo është normale. Ato duhet të zgjidhen, selektohen dhe zhvillohen me dialog, gjithëpërfshirje, transparencë dhe maturi. Problemi nuk është oferta për investim; problemi është arroganca dhe mungesa e transparencës — një situatë e ngjashme me procesin e demarkacionit dhe liberalizimit të vizave në Kosovë.
Gabimet që ka bërë Kosova që nga viti 2014, kur agjendat ndërkombëtare u kthyen në konflikt të brendshëm, po i paguan ende sot dhe nuk dihet se si do të dalë prej tyre. Zhvillimet pas vitit 2014 e kanë dërrmuar vendin dhe kanë krijuar një situatë pa rrugëdalje.
Nga këto mësime, urojmë që Shqipëria të veprojë shpejt dhe të ndërmarrë masa për t’i menaxhuar shumë më mirë këto procese politike dhe zhvillimore.
Hapi i parë është i qartë: duhet ndryshuar qasja dhe përgjegjshmëria politike e institucionale. Vonesa ne veprime te shpejta e ben gjithcka vone…..