Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, deklaroi se nuk e ka parë thirrjen e bërë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Oda Ekonomike Amerikane, e cila ka kërkuar përfshirjen e Kosovës në projektin e gazit amerikan, raporton Ekonomia Online.
E pyetur nga Ekonomia Online, Haxhiu u përgjigj shkurtimisht për këtë çështje, duke thënë se nuk është në dijeni të thirrjes.
“Nuk e kam parë fare, më vjen keq, nuk e kam parë”, deklaroi shkurtimisht ajo.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj serioz, lidhur me mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga ana e Qeverisë në detyrë për thirrjet e përsëritura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG).
Sipas Odës, veçanërisht shqetësues është fakti se të gjitha shtetet e tjera të rajonit janë zotuar për t’u bërë pjesë e kësaj infrastrukture, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet jashtë saj.
