Bajrami kërkon anulimin e testit të maturës pas raportimeve për parregullësi

Prishtinë | 20 Qer 2026 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e zgjedhur e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar anulimin e testit të maturës pas raportimeve për shpërndarje të pyetjeve nëpër grupe të ndryshme.

Bajrami ka thënë se nëse s’ka pasur mundësi të organizimit të testit atëherë është dashur të anulohet.

Ajo ka kërkuar përgjegjësi nga ministri Hajrulla Ceku.

Postimi i plotë:

Të anulohet testi i maturës

Nëse nuk ki mundësi me organizu si duhet, anuloje.

Që gjashtë vjet radhazi po përsëritet i njëjti dështim – publikimi i testit sapo fillon provimi. Pra, testi i maturës nuk po e shpërblen dijen, por po e favorizon kopjimin.

Sot, fatkeqësisht, më të suksesshëm nuk dalin ata që kanë mësu shumë, por ata që kanë arritë me kopju më shumë. Kjo është padrejtësi ndaj mijëra nxënësve të vyeshëm që kanë punu me vite.

Ky nuk është më veç problem i organizimit të një testi, është problem i drejtësisë në arsim, është edhe pjesë e procesit të regjistrimit në fakultet.

Kur kopjimi bëhet rruga ma e lehtë drejt suksesit, atëherë nxënësit e ndershëm ndëshkohen.

Prandaj, është koha me e pranu realitetin: testi i maturës e ka humbë besueshmërinë dhe duhet me u zëvendësu me një sistem vlerësimi që bazohet në suksesin e arritur gjatë shkollimit fillor dhe të mesem.

Arsimi nuk mund të ndërtohet mbi kopjim.

Minister, del merr përgjegjësi

Të ngjashme