Arrestohen dy persona në Kaçanik, policia konfiskon afro 18 kilogramë marihuanë

Prishtinë | 20 Qer 2026 | 16:22 | Nga Ekonomia Online

Dy persona janë arrestuar në Kaçanik nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa policia ka konfiskuar afro 18 kilogramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 19 qershor, rreth orës 17:30, kur hetuesit e Stacionit Policor në Kaçanik kanë tentuar të ndalojnë një veturë për kontroll, por drejtuesi i saj ka arritur t’i shmanget përkohësisht policisë.

“Dje, më 19.06.2026, rreth orës 17:30, hetuesit policorë nga Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Kaçanik, në tentim për të ndaluar një veturë për kontrollim, drejtuesi i saj për t’i ik kontrollit arrit t’i ik përkohësisht kontrollit nga policia”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se pas angazhimit të njësive të ndryshme, vetura është lokalizuar dhe ndaluar, ndërsa gjatë kontrollit të zonës ku dyshohej se kishte kaluar automjeti, janë gjetur tre thasë me substancë narkotike.

“Më pas njësi të ndryshme policore arrijnë që veturën ta lokalizojnë dhe ta ndalojnë. Policia, konkretisht hetuesit policorë nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN)-Ferizaj, duke kontrolluar rrugën nga dyshohej se ishte larguar vetura, në një vend me mbeturina kanë gjetur të hedhura tre thasë me substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë. Substanca narkotike dyshohet të jetë hedhur nga vetura që i ishte shmangur ndalimit policor”, njofton policia.

Sipas autoriteteve, pesha e përgjithshme e substancës së sekuestruar arrin në 17 kilogramë e 834.6 gramë.

“Pesha e përgjithshme e substancës së gjetur dhe konfiskuar është 17 kg e 834.6 gr. Po ashtu lidhur me rastin janë sekuestruar edhe dëshmi tjera relevante me rastin”, thuhet më tej në njoftim.

Lidhur me rastin janë arrestuar F.K., i lindur në vitin 1961, shtetas i Republikës së Shqipërisë, dhe A.C., i lindur në vitin 2001, shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i PTh Ferizaj dhe në koordinim me të është trajtuar rasti. Me aktvendim nga prokurori, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Të ngjashme