Forumi Ekonomik i Grave diskuton ndikimin e platformës “Superpuna”, vetëm 25.3% e përfituesve janë gra

Prishtinë | 24 Qer 2026 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Forumi Ekonomik i Grave ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “Analiza e platformës SUPERPUNA dhe ndikimi i saj tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë”, ku u diskutua për ndikimin e programit në fuqizimin ekonomik dhe përfshirjen në tregun e punës, raporton Ekonomia Online.

Në takim u theksua se gratë përbëjnë vetëm 25.3 për qind të përfituesve në marrëdhënie aktive të punës nga platforma, duke nxjerrë në pah sfidat që vazhdojnë të ekzistojnë në aspektin e barazisë gjinore.

Koordinatorja e Forumit Ekonomik të Grave, Saxhide Mustafa, tha se fuqizimi ekonomik nuk mund të matet vetëm me krijimin e vendeve të punës, por me ndikimin real që politikat publike kanë në jetën e qytetarëve.

“Fuqizimi i grave lidhet drejtpërdrejt me pavarësinë, dinjitetin, sigurinë sociale dhe mundësitë që secili individ të marrë pjesë në mënyrë aktive në jetën ekonomike dhe shoqërore. Megjithatë, sot gjithnjë e më shumë po kuptojmë se krijimi i një vendi pune nuk është i barabartë me fuqizimin ekonomik sepse kemi një hendek të madh gjinor në tregun e punës. E kur janë në pyetje komunitetet, kjo pabarazi është edhe më e theksuar. Për to fuqizimi ekonomik kërkon më shumë politika të përgjegjshme, kërkon politika të drejtuara, të ndjeshme dhe gjithëpërfshirëse. Në këtë kontekst politikat aktive të tregut punës të vendosura nga Qeveria e Kosovës vitet e fundit janë instrumente kyçe”, deklaroi ajo.

“Platforma Superpuna është një iniciativë e rëndësishme në këtë drejtim duke synuar të lidhë të rinjtë me tregun e punës përmes subvencionimit të pagës. Megjithatë, një pyetje thelbësore mbetet, a mjafton kjo? Apo krijon një mundësi reale për fuqizimin ekonomik, apo vetëm vende të përkohshme pune dhe çfarë rezultati po sjell? Apo kontribuojnë në formalizim, në punë të denjë dhe në reduktim të pabarazive? Apo përfshihet në punësim e gjithë shoqëria pa dallim, edhe pjesë edhe komunitetet, dhe sidomos a jemi në përfshirje të të gjithë sektorëve, sidomos atyre me potencial siç është teknologjia, bujqësia, etj? Sepse suksesi i politikave nuk matet vetëm me numra se sa vende pune janë krijuar apo sa mjete janë investuar, por me ndikimin real që ato kanë në jetën e qytetarëve, në jetën e taksapaguesve. Dhe për të matur këtë ndikim kemi nevojë për më shumë të dhëna, më shumë transparencë dhe më shumë vlerësime afatgjata. Pa to rrezikojmë të mos kuptojmë nëse politikat tona po arrijnë tek ata që më së shumti kanë nevojë. Ky diskutim i sotëm nuk ka për qëllim të japë përgjigje të thjeshta apo përgjigje përfundimtare, përkundrazi synimi ynë është të hapim një dialog të sinqertë mbi potencialin dhe kufizimet e politikave aktuale dhe të reflektojmë së bashku si organizata me institucionet se si mund t’i bëjmë ato më efektive, më gjithëpërfshirëse dhe më të drejta. Sepse në fund të ditës fuqizimi ekonomik i grave nuk është vetëm një objektiv social, është një domosdoshmëri për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”, tha ajo.

Ndërsa, drejtoresha e Zyrës së Caritasit Zviceran në Kosovë, Astrid Wein, vuri në pah se punësimi duhet të shërbejë si mjet për integrim ekonomik afatgjatë dhe jo vetëm si mundësi e përkohshme.

“Siç u përmend, tryeza e sotme e rrumbullakët fokusohet në një pyetje kyçe dhe të rëndësishme: krijimi i vendeve të punës. Por si mund të sigurohemi që mundësitë e punësimit të kontribuojnë në një fuqizim ekonomik kuptimplotë dhe të qëndrueshëm, veçanërisht për gratë dhe anëtarët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian? Siç e dëgjuam, punësimi nuk ka të bëjë vetëm me pasjen e një pune; ai ka të bëjë gjithashtu me dinjitetin, sigurinë, pavarësinë, qasjen në të drejta dhe mundësinë për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në jetën ekonomike dhe sociale në Kosovë. Platforma Superpuna është një masë e rëndësishme publike e punësimit dhe ajo ka krijuar mundësi të reja për të rinjtë në Kosovë.

Në të njëjtën kohë, diskutimet e sotme na ftojnë të shohim më thellë: Kush po përfiton? Kush mund të jetë lënë ende pas? Dhe çfarë kërkohet më shumë për të siguruar që masat e punësimit të kontribuojnë vërtet në një integrim ekonomik afatgjatë e gjithëpërfshirës dhe në fuqizimin e grave? Kjo ka një rëndësi të veçantë kur flasim për gratë dhe vajzat nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të cilat shpesh përballen me disa pengesa në të njëjtën kohë, të lidhura me qasjen në arsim, zhvillimin e shkathtësive, informacionin, punësimin formal, mbrojtjen sociale dhe ndonjëherë edhe diskriminimin. Për shumë gra, veçanërisht ato nga komunitetet e margjinalizuara, një mundësi punësimi mund të jetë një hap i rëndësishëm, por jo gjithmonë mjafton e vetme”, tha ajo.

“Caritas Zvicër po punon për të mbështetur një zhvillim ekonomik më gjithëpërfshirës — për shembull, në sektorin e bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit, ku shumë gra kontribuojnë ndjeshëm, por shpesh mbeten të padukshme dhe/ose në sektorin informal.

Por ne po punojmë gjithashtu edhe në fushën e migracionit, ku, për shembull, të kthyerit kanë nevojë për mbështetje në riintegrim në nivele të ndryshme, apo edhe azilkërkuesit dhe migrantët. Këto janë shpesh grupe të margjinalizuara. Për ne, ky diskutim është ngushtësisht i lidhur me pyetjen më të gjerë se si institucionet, shoqëria civile dhe sektori privat mund të punojnë së bashku në krijimin e mundësive që nuk janë vetëm të qasshme, por edhe të qëndrueshme dhe dinjitoze. Dhe si mund të kontribuojmë në këtë përmes kërkimit të bazuar në dëshmi, avokimit dhe angazhimit të përbashkët si një rrjet i fuqishëm?”, shtoi ajo.

Kurse, Etleva Zeneli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore prezantoi të dhëna që tregojnë pabarazi të dukshme gjinore në përfitimin nga platforma “Superpuna”.

“Megjithatë, nga analiza e të dhënave, të cilat Agjencia e Punësimit i ka nxjerrë nga “Superpuna”, shihet se më shumë se 25,000 kanë përfituar, kanë përfituar nga “Superpuna”, ku 18,838 prej tyre kanë qenë burra në marrëdhënie aktive të punës dhe 6,365 në marrëdhënie aktive të punës kanë qenë gra.

Pra dhe në përqindje gratë përbëjnë prapë vetëm 25.3%. Kjo reflektohet pra edhe në rezultatet e programit që ishin shumë të njëjta sipas Agjencisë së Punësimit, se sa gra janë aktive në tregun e punës. Siç e përmenda, pavarësisht disponueshmërisë së të dhënave bazike sipas gjinisë, mbeten kufizime të rëndësishme në vlerësimin e ndikimit të programit. Të dhënat e referuara, të dhënat e publikuara i referohen marrëdhënieve aktive të punës, edhe jo domosdoshmërisht përfituesve të subvencionimit. Sipas sqarimeve të Agjencisë së Punësimit, subvencionimi u takon vetëm atyre përfituesve të cilët i kanë përmbushur kriteret edhe kushtet e programit, ndërsa një pjesë e tyre mund të përjashtohen nga e drejta për subvencionim për shkak të mosplotësimit të kritereve të përcaktuara.

Për rrjedhojë, numri i grave në marrëdhënie aktive nuk mund të barazohet automatikisht me numrin e grave të subvencionuara. Pra, mungesa e të dhënave të ndara sipas gjinisë për përfituesit e subvencionimit e bën të vështirë vlerësimin e shkallës së përfitimit të grave nga mbështetja financiare e ofruar në kuadër të programit “Superpuna”, tha ajo.

Të ngjashme