Kori Siparantum ka shënuar një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në skenën ndërkombëtare të muzikës korale, duke u vlerësuar me tri çmime në kuadër të Malaysian Choral Festival 2026, që po mbahet në Kuala Lumpur.
Në këtë festival prestigjioz, Kori Siparantum u nderua me:
Çmimin e Artë në kategorinë B4 – Ansambël Vokal;
Çmimin e Artë në kategorinë A5 – Kor i Përzier;
Çmimin Special për Skenografi/Koreografi Kreative në kategorinë A5.
Këto vlerësime dëshmojnë punën, talentin dhe përkushtimin e anëtarëve të Korit Siparantum, ndërsa njëherësh përbëjnë një tjetër moment të rëndësishëm në përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar Korin Siparantum për këtë sukses, duke vlerësuar se arritjet e tilla janë dëshmi e potencialit artistik të vendit dhe një shtysë për institucionet që të vazhdojnë mbështetjen për artin dhe kulturën.
Kurti ka uruar për suksesin edhe kompozitorin dhe dirigjentin e Korit Siparantum, Memli Kelmendi, duke theksuar rëndësinë e këtyre çmimeve për Kosovën.
“Urime Korit Siparantum, kompozitorit dhe dirigjentit Memli Kelmendi për suksesin dhe çmimet e fituara!”, ka shkruar Kurti.
Suksesi në Kuala Lumpur i shtohet vargut të arritjeve të Korit Siparantum dhe përbën një tjetër dëshmi se arti dhe kultura kosovare vazhdojnë të marrin vlerësime në skenat më të rëndësishme ndërkombëtare.