Sot, më 26 qershor, shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Drogat dhe Trafikimit të Tyre të Paligjshëm, një ditë e dedikuar ndërgjegjësimit për rreziqet që paraqet përdorimi i drogave dhe luftës kundër trafikimit të tyre.
Kjo ditë u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutës 42/112, të miratuar më 7 dhjetor 1987, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në parandalimin e abuzimit me drogën dhe luftimin e rrjeteve të trafikimit të paligjshëm.
Në kuadër të kësaj dite, në shumë vende organizohen fushata informuese, aktivitete edukative dhe iniciativa që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për pasojat sociale, shëndetësore dhe ekonomike të përdorimit të drogës.
26 Qershori, shërben si kujtesë për rëndësinë e angazhimit të përbashkët të institucioneve, familjeve dhe shoqërisë në mbrojtjen e të rinjve dhe në ndërtimin e komuniteteve më të sigurta dhe më të shëndetshme.