Gjini: Kosova prapë rrezikon me mbetë për një kohë të gjatë pa institucione

Prishtinë | 26 Qer 2026 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini në një konferencë për media tha se Kosova po rrezikon të futet sërish në krizën e mungesës së institucioneve, gjë kjo e cila sipas tij nuk shkon as në favor të qytetarëve e as të zhvillimit strategjik të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se Aleanca është e gatshme për të kontribuar në këtë proces, megjithatë përmendi disa kërkesa.

 “Fatkeqësisht po krijohet një ndjenjë që Kosova prapë rrezikon me mbetë për një kohë të gjatë pa institucione, situatë e cila nuk shkon në favor as të qytetarëve as të zhvillimit strategjik të shtetit të Kosovës. Gjithçka është peng, gjithçka është blloku, tashmë është blloku për 1 vit e gjysëm. Në këto rrethana Aleanca duhet me deklaru si vijon: Ne nuk kemi asnjë kusht vetiak, nuk synojmë asnjë pjesëmarrje në Qeverinë e Kosovës, mirëpo i kemi disa kërkesa të cilat janë jetike në mënyrë që Aleanca ta kryejë punën e vet në ndihmë të krijimit të institucioneve”, ka deklaruar Gjini, në një konferencë për media.

Gjini deklaroi se kërkesa kryesore e Aleancës është pranimi i gazit të lëngshëm amerikan i cili sipas tij do të tregojë orientimin afatgjatë strategjik të shtetit.

Gjashtë kërkesat e Aleancës për institucionet e reja janë:

1. Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit.

2. Pavarësia energjetike: Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit.

3. Lehtësime për bizneset e vogla: Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

4. Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.

5. Buxhetimi i infrastrukturës: Financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve.

6. Fondi emergjent për kryeqytetin: Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për Prishtinën, e cila, sipas tij, po bëhet e pajetueshme në mungesë të investimeve kapitale.

Të ngjashme