Juristja e medias, Flutura Kusari, ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë një tjetër vendim në mbrojtje të gazetarëve, duke dënuar me burgim me kusht dhe ndalim të përdorimit të Facebook-ut një person që kishte kërcënuar gazetarin e Kohës, Ardit Kika.
Sipas Kusarit, rasti lidhet me një koment kërcënues të publikuar më 22 janar 2026 në Facebook, ku ndaj gazetarit ishte shkruar: “këta i ndalë likuidimi në emër të popullit, boll i duruam mo, hala t’u i pas varret e freskëta nga lufta, merre me mend këta punojnë për shka e Rusi, Amerika po na armatos dhe mundohet që sa më shpejtë me na anëtarësi në NATO – e mediat tona merre me mend çfarë dezinformata shpifin, klm”.
Ajo bëri të ditur se gjykata ka vendosur dënimin vetëm gjashtë muaj pas kërcënimit.
“Edhe një vendim fantastik nga Gjykata Themelore në Prishtinë në favor të mbrojtjes së gazetarëve, i marrë në kohë goxha të shpejtë. Më 22 janar 2026, një person e kishte kanosë gazetarin e Kohës, Ardit Kika, përmes Facebook-ut. Sot, pas vetëm gjashtë muajsh, gjykata e ka dënu kërcënuesin me katër muaj burg me kusht dhe gjashtë muaj ndalim me përdorë Facebookun”, ka shkruar Kusari.
Ajo tregoi se i dënuari e ka pranuar fajin dhe si arsyetim për veprimin e tij ka përmendur probleme familjare.
“Arsyetimi i të dënuarit, pasi e ka pranu gabimin, paska qenë: ‘kur e kam ba komentin kam pasë probleme familjare’”, ka thënë ajo.
Kusari u bëri thirrje qytetarëve që të mos i shënjestrojnë gazetarët, duke theksuar se kërcënimet ndaj tyre kanë pasoja ligjore.
“I lus njerëzit me probleme familjare që në situata të tilla të rrinë larg gazetarëve dhe le të gjejnë ndonjë metodë tjetër për t’i shprehur nervozat e tyre. OK? Nuk keni llogari mu shfry në gazetarë se përfundoni në gjykatëëëëëë dhe të dënuarrrrr”, ka shtuar Kusari.