Sot, Ferdonije Qerkezi shënon ditëlindjen e saj të 73-të, një datë që nuk mbart gëzim, por kujtime të rënda që koha nuk ka mundur t’i zbehë.
Në mendjen dhe shpirtin e saj, kjo ditë nuk lidhet me urime apo festë, por me kujtimin e djemve të saj, ditëlindjet e të cilëve kanë mbetur të vetmet data që ajo i rikthen vazhdimisht në heshtje, me mall dhe dhimbje të pashuar.
Jeta e saj u ndërpre në mënyrë të dhimbshme gjatë Luftës së fundit në Kosovë, kur humbi bashkëshortin dhe katër djemtë e saj, një humbje që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e jetës së saj
Më 27 mars 1999, gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe ia rrëmbyen burrin (Halimin) dhe katër djemtë (Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin) nga shtëpia në Gjakovë. Eshtrat e dy djemve të saj janë gjetur dhe varrosur më vonë, ndërsa burri dhe dy djemtë e tjerë vazhdojnë të mbeten të zhdukur.
Shtëpia e saj në Gjakovë nuk është më vetëm një vendbanim. Ajo është shndërruar në një muze përkujtimor, ku çdo hapësirë mban peshën e mungesës dhe kujtimit, duke dëshmuar një histori që nuk është mbyllur ende, shkruan Indeks Online.
E njohur si nëna e hekurt, Ferdonije Qerkezi është bërë simbol i një qëndrese të rrallë njerëzore, por edhe i një dhimbjeje që jeton çdo ditë me të, pa u zbehur.
Edhe në këtë ditëlindje, ajo nuk kërkon urime. Për të, kjo është një ditë e qetë, e rëndë, e mbushur me kujtime që nuk largohen kurrë.
Në heshtjen e shtëpisë së saj muze, koha duket sikur ndalet. Dhe brenda saj vazhdon të jetojë një pritje e pafund për përgjigje mbi të zhdukurit, një pritje që ende nuk ka marrë fund.