Avokati i Popullit viziton Qendrën Edukuese Korrektuese për të Mitur në Lipjan në Ditën Ndërkombëtare kundër Torturës

Prishtinë | 26 Qer 2026 | 19:04 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare kundër Torturës, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, së bashku me drejtoreshën e Mekanizmit Kundër Torturës, Shqipe Ibraj Mala, zhvilluan një vizitë në Qendrën Edukuese Korrektuese për të Mitur në Lipjan.

Delegacioni u prit nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të qendrës, Fitim Bërbatovci, me të cilin diskutuan për kushtet e akomodimit, trajtimin e të miturve dhe sfidat me të cilat përballet stafi në përmbushjen e detyrave të përditshme.

Gjatë vizitës, Avokati i Popullit theksoi se çdo i mitur i privuar nga liria duhet të trajtohet me dinjitet, respekt dhe humanizëm, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ai nënvizoi se përgjegjësia e shtetit ndaj të miturve të privuar nga liria nuk kufizohet vetëm në garantimin e sigurisë, por përfshin edhe mbrojtjen, edukimin dhe rehabilitimin e tyre, me synim riintegrimin e suksesshëm në shoqëri.

Nga ana tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës ritheksoi përkushtimin për respektimin e të drejtave të personave të privuar nga liria, duke garantuar trajtim dinjitoz dhe zbatim të standardeve më të larta në institucionet korrektuese, me fokus të veçantë tek të miturit.

Të ngjashme