Grabitën 1,500 euro, telefona dhe bizhuteri në Prishtinë, arrestohen dy persona

Prishtinë | 01 Kor 2026 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka publikuar detaje shtesë lidhur me grabitjen e raportuar mbrëmjen e së martës në rrugën “Ymer Aliu” në Prishtinë, për të cilën tashmë janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 30 qershor 2026, rreth orës 22:20, kur dy të dyshuarit, nën kërcënimin e një thike, dyshohet se grabitën tre shtetas të huaj – dy gra nga Brazili dhe një burrë nga Rumania.

Nga viktimat u morën dy telefona celularë, 1,500 euro para të gatshme dhe disa bizhuteri, ndërsa të dyshuarit u larguan në drejtim të panjohur.

Pas veprimeve të shpejta hetimore, policia arriti t’i identifikonte dhe arrestonte dy të dyshuarit, N.K., 26 vjeç dhe A.K., 26 vjeç, të dy shtetas të Kosovës.

Gjatë kontrollit, njësitë policore gjetën dhe konfiskuan dy telefonat e grabitur, bizhuteritë, një pjesë të parave të vjedhura, si dhe dy thika që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së grabitjes.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Të ngjashme