Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Altin Krasniqi, ka reaguar me një mesazh emocional lidhur me babanë e tij, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke kujtuar se kanë kaluar 2,049 ditë që nga arrestimi i tij.
Përmes një postimi, Krasniqi tha se familja ka jetuar çdo ditë me shpresën për kthimin e tij.
“Nga 4 Nëntori i vitit 2020 deri më sot kanë kaluar 2049 ditë. 2049 mëngjese jemi zgjuar me shpresën se babi do të kthehet. 2049 net kemi mbyllur sytë duke u lutur për shëndetin dhe kthimin e tij”, ka shkruar ai.
Ai shtoi se, sipas tij, familjes mund t’i jenë marrë ditët, por jo e vërteta.
“Vërtet na janë vjedhur 2049 ditë, por nuk do të mund të na e vjedhin kurrë të vërtetën. E ndërsa pritjes po i vjen fundi, kam vetëm një gjë për të thënë: Çlirimtarët kanë qenë, janë dhe do të mbeten heronj”, ka përfunduar Altin Krasniqi.