Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë trajtuar 133 raste me kancer të gjirit, ndërsa mjekët bëjnë thirrje për kujdes dhe kontrolle të rregullta, pasi sëmundja po prek gjithnjë e më shumë edhe gratë në moshë të re.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Dr. Nazmi Kolegeci, tha se kanceri i gjirit mbetet diagnoza më e shpeshtë që trajtohet në këtë klinikë, shkruan Gazeta Shneta
“Numri më i madh i pacientëve që trajtojmë është me kancer të gjirit. Kur i krahasojmë statistikat e vitit 2025 me ato të vitit 2026, ato janë përafërsisht të njëjta. Mirëpo, kur kemi parasysh se numri i popullsisë është në rënie, atëherë kjo sëmundje të paktën është duke e prekur më shumë popullatën tonë. Duhet të kemi kujdes jo vetëm për gratë më të moshuara, por edhe për gratë në moshë më të re”, tha Dr. Kolgeci.
Sipas Kolegecit, klinika ka avancuar edhe në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes. Gjatë gjashtëmujorit të parë janë realizuar 52 biopsi të gjirit me gjilpërë (CNB), procedurë që ka shkurtuar kohën deri në vendosjen e diagnozës.
“Në të kaluarën biopsia kërkonte ndërhyrje kirurgjikale. Tani, sapo pacientja paraqitet në klinikë, i nënshtrohet kësaj procedure dhe mostra dërgohet menjëherë për analizë patologjike. Pasi merret rezultati, nëse konfirmohet karcinoma e gjirit, pacientja procedohet për trajtimin e mëtejshëm kirurgjikal”, u shpreh ai.
Një tjetër zhvillim që, sipas Dr. Kolgecit , ka përmirësuar trajtimin është përdorimi i metodës Sentinel Node, e cila u mundëson kirurgëve të shmangin ndërhyrjet më të gjera te një pjesë e pacienteve.
Nga 133 rastet me kancer të gjirit, 40 paciente nuk kanë pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në nyjet limfatike të sqetullës falë kësaj metode, ndërsa 10 paciente i janë nënshtruar operacioneve kursyese të gjirit.
“Falë metodës Sentinel kemi arritur që në rreth 50 raste gjatë gjashtëmujorit të parë të mos kemi nevojë të kryejmë ndërhyrje radikale. Kjo është një përfitim i madh për pacientet, sepse operacioni është më pak invaziv dhe ruhet më shumë indi i shëndoshë”, tha Dr. Kolegeci.
Pavarësisht përparimeve në trajtim, klinika vazhdon të përballet me sfida. Kolegeci tha se pacientët me kancer të gjirit trajtohen me prioritet dhe nuk mbesin në listë pritjeje, pasi periudha prej dy deri në pesë javësh shfrytëzohet për përgatitjet para operacionit dhe konsultat me specialistë të tjerë.
Ai bëri të ditur se lista e pritjes ekziston për rastet që nuk paraqesin urgjencë, ndërsa kapacitetet e klinikës vazhdojnë të kufizohen nga funksionimi i vetëm një salle operative.
“Salla e dytë operative është renovuar, por nuk kemi mundur ta funksionalizojmë për shkak të mungesës së anesteziologëve. Presim që ajo të vihet në funksion në muajt e ardhshëm”, u shpreh Dr. Kolgeci.
Sipas tij, një tjetër sfidë mbetet mungesa e infermierëve dhe fakti që objekti i klinikës është i vjetër, ndonëse salla operative ekzistuese i plotëson kushtet për kryerjen e ndërhyrjeve.
Dr. Nazmi shtoi se klinika nuk ka pasur probleme me furnizimin me materiale kirurgjikale gjatë këtij viti dhe se pacientët vazhdojnë të përfitojnë nga metoda moderne si Sentinel Node dhe VATS, të cilat mundësojnë ndërhyrje më pak invazive, rikuperim më të shpejtë dhe qëndrim më të shkurtër në spital.
Klinika e Kirurgjisë Torakale e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është institucion i nivelit terciar shëndetësor, ku trajtohen pacientë nga e gjithë Kosova me sëmundje të kraharorit dhe patologji të gjirit që kërkojnë trajtim kirurgjikal.