Kurti: Gazeta “Rilindja”, arkivë e çmuar e historisë dhe emancipimit shoqëror

Prishtinë | 02 Kor 2026 | 21:07 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar gazetën e përditshme “Rilindja” si një prej institucioneve më të rëndësishme të historisë së shtypit dhe emancipimit shoqëror në vend.

Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar rolin e saj në zhvillimin e gjuhës shqipe të shkruar dhe në dokumentimin e ngjarjeve historike, duke e cilësuar si referencë që i mbijeton kohës.

“Gazeta e përditshme Rilindja me numrat e saj përgjatë katër dekadave e gjysmë janë arkivë e çmuar e historiografisë sonë. Bashkë me Universitetin e Prishtinës dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, ajo pati rol qendror në emancipimin shoqëror dhe kultivimin e shqipes së shkruar. Përtej informimit, botimet e saj ishin vetëdije profesionale e kombëtare dhe referencë që i mbijeton kohës”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se në kuadër të shënimit të 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, ka zhvilluar një takim me ish-gazetarë, redaktorë dhe autorë të kësaj gazete.

“Për të kujtuar Rilindjen, si gazetë dhe shtëpi botuese, si dhe për të diskutuar rëndësinë e raportimit dhe mbulimit të ngjarjeve historike, sot, kur shënojmë 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, mirëprita në një takim të përzemërt e plot reflektime Binak Kelmendin, Ibrahim Kadriun, Evliana Beranin, Dush Gashin, Mehmet Gjatën dhe Emine Berishën, ish-gazetarë, redaktorë dhe autorë librash të Rilindjes”, ka deklaruar Kurti.

Të ngjashme