Mbi 1200 fermerë kanë aplikuar për skemën e Granteve për Investime në të tri LOT-et, në kuadër të projektit “Mbështetje për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve” dhe prej tyre 634 janë përzgjedhur fitues, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë strategjike të bujqësisë për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë ushqimore të vendit.
“Bujqësia nuk është vetëm një sektor tradicional, por është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit e të rritjes ekonomike, të sigurisë ushqimore e të ekonomisë prodhuese. Çdo investim në fermerët dhe prodhuesit tanë është investim në një Kosovë që prodhon më shumë, përpunon më shumë, eksporton më shumë dhe krijon më shumë vende pune. Për ne bujqësia është një çështje e sovranitetit ushqimor. Çdo fermë që rrit prodhimin vendor e bën Kosovën më konkurruese, më pak të varur nga importet dhe më të përgatitur për sfidat ekonomike të së ardhmes. Partneriteti ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë përmes GIZ-it ka qenë për më shumë se dy dekada një nga partneritetet më të rëndësishme për zhvillimin e sektorit tonë bujqësor. Ky bashkëpunim ka mbështetur investimet, forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e politikave moderne në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.
Ai kujtoi një hap të rëndësishëm të ndërmarrë së fundmi nga Qeveria e Kosovës.
“Një moment i rëndësishëm u shënua në vitin 2023, kur qeveria e Republikës së Kosovës iu bashkua këtij programi si bashkëfinancuese. Për herë të parë shteti ynë nuk ishte vetëm përfitues i mbështetjes ndërkombëtare, por edhe një bashkëinvestues në një program të kësaj përmase. Ky ishte një hap i rëndësishëm drejt marrjes së përgjegjësisë më të madhe për zhvillimin e ekonomisë rurale.Interesimi për këtë program ka qenë jashtëzakonisht i madh. Mbi 1200 fermerë dhe ndërmarrës ruralë aplikuan, ndërsa pas një procesi transparent dhe konkurrues janë përzgjedhur 643 përfitues: 556 në lotin e parë, 65 në lotin e dytë dhe 22 në lotin e tretë”, tha Kurti.
Ai shtoi se këto përfitime përkthehen drejtpërdrejt në zhvillim ekonomik.
“Këto nuk janë vetëm shifra, janë 643 investime në ekonominë e Kosovës, qindra biznese të cilat do të modernizohen, vende të reja të punës do të krijohen dhe familje të cilat do të kenë më shumë mirëqenie e siguri ekonomike. Për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës shpallet një numër kaq i madh përfituesish të një skeme investimesh në një proces të vetëm. Jam veçanërisht krenar që këto investime shtrihen në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ky është modeli ynë i zhvillimit: mundësi të barabarta për çdo rajon dhe zhvillim që arrin në çdo komunë. Rreth 35% e përfituesve janë gra. Programi përfshin të gjitha komunitetet joshumicë të njohura zyrtarisht në Republikën e Kosovës, ndërsa një numër i konsiderueshëm përfituesish janë të rinj, të cilët po e shohin bujqësinë dhe sipërmarrjen rurale si perspektivë për të ardhmen e tyre”, tha Kurti.
Ministri i Bujqësisë në detyrë Armend Muja, tha se vetëm për LOT-in e parë kanë aplikuar 915 fermerë dhe janë përzgjedhur 556 prej tyre fitues.
“Interesimi i qytetarëve ka qenë jashtëzakonisht i madh për këtë program. Janë pranuar 915 aplikime. Ndërsa pas një procesi transparent, konkurrues dhe mbi të gjitha meritor të përzgjedhjes, janë shpallur 556 përfitues të cilët, me të cilët do të realizohen këto investime në të gjitha komunat e Kosovës.
Grantet individuale deri në 5000 euro do të mbështesin investimet në sektorë me potencial të lartë dhe me rëndësi për Kosovën: agroturizëm, prodhimi i mjaltës, përpunimi i produkteve bujqësore, kultivimi i bimëve mjekësore dhe aromatike, kultivimi i produkteve jobujqësore në zonat rurale, shpestarria, akuakultura dhe aktivitete të tjera inovative në zonat rurale.
Jemi të kënaqur posaçërisht që ky program, mes të tjerash, promovon dhe barazinë, qasjen e barabartë dhe gjithëpërfshirjen në skemat tona mbështetëse. Dhe ky do të jetë një synim në vazhdim po aq i rëndësishëm sa gjithëpërfshirja e të gjitha zonave gjeografike. Më lejoni t’ju njoftoj se në kuadër të përfituesve, 36% janë gra. Ndërsa programi po ashtu për herë të parë përfshin 30% që janë të rinj.
Programi po ashtu ka përzgjedhur përfitues nga të gjitha moshat, që tregon rëndësinë dhe adekuatshmërinë e kritereve dhe metodologjisë së aplikuar”, tha Muja.
Ai tha se është e rëndësishme që Kosova të përmirësojë të gjitha standardet prodhuese
“Kosova, është e rëndësishme që të përmirësojë të gjitha standardet e prodhimit, të gjurmueshmërisë, në mënyrë që të përfitojë nga mundësia e eksporteve në tregjet e mëdha të Bashkimit Evropian. Dhe rruga drejt Bashkimit Evropian për produktet tona, për bujqësinë, është zbatimi i sistemit të gjurmueshmërisë dhe zbatimi i kritereve, të të gjitha kritereve të sigurisë ushqimore”, tha Muja.
Rainer Rudolph ambasador i Gjermanisë në Kosovë tha se ngjarja shënon partneritet afatgjatë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj Qeverisë së Gjermanisë.
“Grantet që do t’ju ndahen sot do të japin një shtysë për prodhimin dhe produktivitetin tuaj. Ato do t’ju mundësojnë investime që i keni planifikuar, ndoshta madje edhe i keni ëndërruar, për një kohë të gjatë. Dhe të marra së bashku, në mbarë vendin, këto grante do të ofrojnë, shpresoj, një nxitje të prekshme për bujqësinë dhe ekonominë rurale të Kosovës.
Ky investim i përbashkët dëshmon përkushtimin tonë të përbashkët për të mbështetur komunitetet rurale, për të forcuar ekonomitë lokale dhe për të krijuar mundësi për popullsinë rurale në të gjithë vendin.Jam i impresionuar që ky program ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm. Janë dorëzuar mbi 900 aplikime për subvencione në shkallë të vogël. Kjo tregon kërkesën e fortë të sipërmarrësve ruralë për të investuar, për të diversifikuar aktivitetet ekonomike dhe, në këtë mënyrë, për të kontribuar në zhvillimin lokal. Sot, ne do të festojmë dhe do të shpërblejmë 556 përfitues. Të gjithë ju e keni përfunduar me sukses një proces përzgjedhjeje transparent dhe konkurrues. Kjo do të thotë 556 mundësi të reja investimi që do të krijojnë vende pune, do të gjenerojnë të ardhura dhe do të kontribuojnë në ekonomi lokale më të gjalla në të gjithë Kosovën”, tha Rudolph.
Drejtori ekzekutiv i GIZ-it, Markus Delfs tha se sot nis zbatimi i investimeve për fermerët, të cilët do të mbështeten nga këto skema.
“Kjo është një rast i veçantë për ne, për të gjithë ne. Për shkak të asaj që Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim po bashkëfinancojnë së bashku për sipërmarrësit në Kosovë. Pas një procesi rigoroz vlerësimi dhe përzgjedhjeje, dita e sotme shënon një moment kyç, pasi ne zyrtarisht po nisim zbatimin e këtyre investimeve. Përgjigjja dërrmuese ndaj thirrjes sonë për aplikime flet vetë, ashtu siç e shohim edhe këtu sot në sallë. Niveli i lartë i interesimit pasqyron gjallërinë sipërmarrëse të komuniteteve rurale të Kosovës dhe tregon gatishmërinë e fortë të fermerëve, familjeve rurale dhe sipërmarrësve për të investuar, për të diversifikuar dhe për të krijuar rrugë të reja për rritjen e këtij sektori. E dizajnuar për të mbështetur një spektër të gjerë të ndërmarrjeve rurale, kjo skemë grantesh funksionon në tri shkallë të ndryshme investimi. Në mënyrë thelbësore, kjo mbështetje shtrihet te përfituesit në të gjitha shtatë rajonet dhe 38 komunat e Kosovës, duke nxitur rritje gjithëpërfshirëse për gratë, burrat, sipërmarrësit e rinj dhe pronarët me përvojë të bizneseve.
Përfshirja, siç e theksoi ministri disa minuta më parë, është një shtyllë kryesore e kësaj iniciative. Më shumë se një e treta e përfituesve në kuadër të skemës për investime në shkallë të vogël janë gra. Programi gjithashtu përfshin në mënyrë aktive anëtarë të komuniteteve të ndryshme në vend. Jemi veçanërisht të inkurajuar nga pjesëmarrja e fuqishme e sipërmarrësve të rinj në shkallët e vogla dhe të mesme, të cilët punojnë krah për krah me bizneset rurale të konsoliduara, përvoja e të cilave mbetet thelbësore për zhvillimin ekonomik lokal”, tha Delfs.




