Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK) ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar në sektorin e qumështit, duke thënë se fermerët po përballen me vështirësi në grumbullimin e qumështit dhe me ulje të çmimit të blerjes.
Në një deklaratë për opinion, shoqata kërkon që të grumbullohet çdo litër qumësht i prodhuar në Kosovë dhe që çmimi i grumbullimit të rikthehet në nivelin që ishte para zhvillimeve të fundit.
“Fermerët nuk duhet të jenë viktima të kësaj situate. Kërkojmë që të grumbullohet çdo litër qumësht i prodhuar në Kosovë dhe që çmimi i grumbullimit të rikthehet në nivelin që ishte para zhvillimeve të fundit”, thuhet në reagim.
SHPQK bën thirrje për bashkëpunim ndërmjet fermerëve, industrisë së përpunimit dhe institucioneve, duke theksuar se vetëm përmes koordinimit mund të tejkalohet situata aktuale.
Shoqata shprehet gjithashtu në mbështetje të inspektimeve dhe zbatimit të ligjit, por kërkon që kontrollet të zhvillohen në mënyrë të barabartë për të gjithë operatorët.
“Mbështesim inspektimet dhe zbatimin e ligjit nga institucionet përgjegjëse, por kërkojmë që kontrollet të jenë të vazhdueshme, profesionale dhe të barabarta për të gjithë operatorët e sektorit”, theksohet në deklaratë.
Në reagim, SHPQK kërkon edhe ndërhyrje institucionale për mbrojtjen e prodhimit vendor.
“Nevojitet forcimi i kontrollit ndaj produkteve të importuara, vendosja e masave antidamping për qumështin UHT dhe produktet e importuara, përparësi për produktet vendore në furnizimet publike, si dhe krijimi i mekanizmave ligjorë për mbështetjen e prodhimit vendor”, thuhet në deklaratë.
Shoqata i ka bërë thirrje kompanisë “Vita” që të rifillojë grumbullimin e qumështit nga fermerët.
“I bëjmë thirrje kompanisë ‘Vita’ që nga dita e nesërme të rifillojë grumbullimin e qumështit nga fermerët, me besimin se situata do të stabilizohet shpejt dhe bashkëpunimi i deritanishëm do të vazhdojë në interes të gjithë sektorit të qumështit”, thotë reagimi.