Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bëri të ditur se komisioni inspektues ka konstatuar se fabrika për përpunimin e qumështit “Vita” në Istog ka shkelur vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, i cili ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit. Zyrtarët e AUV-së thanë se rezultatet përfundimtare priten pas analizave laboratorike, raporton Ekonomia Online.
Shefi i Inspektoratit Veterinar Kufitar në AUV, Eroll Shehu, tha se inspektimi në fabrikën “Vita” është kryer më 2 korrik, në bashkëpunim me njësitë e tjera inspektuese dhe në zbatim të vendimit të ministrit.
“Së pari, në bazë të kontrolleve gjatë datës 2 korrik në subjektin, ose fabrikën e përpunimit të qumështit ‘Vita’ në Istog, është bërë procesi i inspektimit të përbashkët me njësitë tjera inspektuese në subjekt. Inspektimi është bërë sipas kërkesës së vendimit të ministrit, i cili është zbatuar gjatë ditës, domethënë gjatë orarit. Sa i përket ciklit të inspektimit, inspektimi ka shkuar gjithmonë shumë transparent. Këtë herë të gjithë kohën i kemi pasur kamerat rreth vetes dhe tani jemi në proces të pritjes së rezultateve nga laboratori”, tha Shehu, raporton Ekonomia Online.
Udhëheqësi i Zyrës së AUV-së në Prizren, Durak Zyrapi, tha se komisioni, bazuar në gjetjet e inspektorëve në terren, ka konstatuar shkelje të vendimit të ministrit nga ana e subjektit.
“Ne si komision kemi konstatuar, në bazë të gjetjeve të inspektorëve që kanë qenë në terren, se subjekti në fjalë ka thyer vendimin e ministrit, ku ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe gjërave të tjera në fabrikat e përpunimit të qumështit. Ky ka qenë konstatimi fillestar i komisionit”, tha Zyrapi.
Ai mohoi raportimet se të gjithë anëtarët e komisionit kanë marrë pjesë në inspektim, duke sqaruar se një pjesë e zyrtarëve nuk kanë qenë të pranishëm brenda objektit gjatë kontrollit.
“Sa i përket korrektësisë së opinionit dhe disa portaleve që po shkruajnë se kemi qenë të gjithë prezent në inspektim, kjo nuk është e vërtetë. Unë personalisht, edhe pse jam kryesues i komisionit të monitorimit, nuk kam qenë në inspektim faktikisht brenda, kam qenë jashtë zyrave. Edhe pesë zyrtarë të tjerë të ministrisë nuk kanë qenë pjesë e këtij zhvillimi. Të tjerët që kanë qenë kompetentë dhe që vijnë nga fushat përkatëse kanë kryer inspektimin dhe na kanë paraqitur konstatimet e tyre”, tha Zyrapi.


