Deputetja e rizgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të Raportit Vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2025, duke thënë se të dhënat e raportit konfirmojnë shqetësimet që, sipas saj, opozita, qytetarët dhe bizneset i kanë ngritur prej kohësh për gjendjen ekonomike në vend.
Në një postim në Facebook, Bajrami tha se raporti dëshmon rritje të ngadaltë ekonomike, inflacion të lartë dhe një varësi gjithnjë e më të madhe nga importi.
“E thotë qartë edhe Raporti Vjetor i BQK-së për vitin 2025, atë që po e themi ne, atë që qytetarët dhe bizneset po e ndiejnë çdo ditë: çmimet po rriten shumë, ekonomia po rritet pak, ndërsa varësia nga importi po thellohet nga viti në vit. Sipas BQK-së, në vitin 2025 ekonomia e Kosovës është rritur vetëm 3.6%, ndërsa inflacioni ka arritur në 3.9%, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë”, ka shkruar Bajrami.
Ajo theksoi se edhe parashikimet për vitin 2026 janë shqetësuese, pasi pritet ngadalësim i mëtejshëm i rritjes ekonomike dhe përshpejtim i inflacionit.
“Por edhe më shqetësues është parashikimi për vitin 2026, ku sipas BQK-së rritja ekonomike pritet të jetë 3.5%, pra edhe më e ulët se në vitin 2025, ndërsa inflacioni pritet të shkojë në 6.7%. Me fjalë të tjera: ekonomia pritet të rritet më ngadalë, çmimet shumë më shpejt. Shto kësaj faktin se Kosova po importon shumë e po eksporton shumë pak”, u shpreh ajo.
Deputetja e LDK-së vuri në pah edhe të dhënat për tregtinë e jashtme, duke i cilësuar ato si tregues të një ekonomie të varur.
“Në vitin 2025, importi i mallrave ka arritur rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksporti vetëm rreth 869 milionë euro. Pra, kemi importuar rreth tetë herë më shumë sesa kemi eksportuar. Deficiti tregtar ka shkuar në rreth 6.1 miliardë euro, me rritje prej 12.5% krahasuar me vitin paraprak, më i larti në historinë e pasluftës, ndërsa eksporti ka pësuar rënie të lehtë prej 0.2%, e importi është rritur për 10.6%”, tha Bajrami.
Sipas saj, këto shifra nuk mund të fshihen pavarësisht gjuhës së kujdesshme të raportit.
“Kjo është pasqyra më e qartë e një ekonomie që po mbahet nga konsumi, importi dhe remitencat – ekonomi që vuan nga inflacion i lartë, rritje ekonomike e pamjaftueshme, deficit tregtar në rritje, import rekord dhe eksport në rënie. Sipas BQK-së, çmimi i energjisë elektrike është rritur për 11.5%, e kur rritet energjia, rritet kostoja për bizneset, rritet çmimi i produkteve dhe në fund krejt këto i paguan qytetari. Kjo është kosto shumë më e lartë se 100 eurot që shpërndan Qeveria në kohë të zgjedhjeve”, deklaroi ajo.
Bajrami bëri thirrje për ndryshim të politikave ekonomike, duke kërkuar fokus më të madh në prodhimin vendor dhe eksportin.
“Kosovës i duhet politikë ekonomike që e kthen vëmendjen te prodhimi vendor, te eksporti, te ulja e kostos së energjisë për bizneset dhe te krijimi i vendeve të punës, sepse një ekonomi që importon 7 miliardë euro dhe eksporton më pak se 1 miliard euro, nuk është ekonomi e qëndrueshme – është ekonomi e varur”, shtoi Bajrami.