KGJK autorizon kryetarët e gjykatave të ndërmarrin masa për shkak të temperaturave të larta në Pallatin e Drejtësisë

Prishtinë | 06 Kor 2026 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka miratuar autorizimin për kryetarët e gjykatave që, në varësi të gjendjes në objekt, të ndërmarrin masa për organizimin e punës për shkak të temperaturave të larta në Pallatin e Drejtësisë. Vendimi u mor pas diskutimeve mbi kushtet e vështira të punës, të cilat anëtarët e KGJK-së i cilësuan si të papranueshme dhe me rrezik për shëndetin e gjyqtarëve dhe stafit, raporton Ekonomia Online.

Anëtari i KGJK-së, Fahret Vellija, tha se çështja e kushteve në Pallatin e Drejtësisë është diskutuar vazhdimisht ndër vite, por problemet ende nuk kanë marrë zgjidhje.

“Besoj që nëse gjatë këtyre pesë viteve sa jam anëtar i Këshillit Gjyqësor këtu është përfolur për një çështje, ajo është Pallati i Drejtësisë. Për asnjë çështje tjetër nuk kemi folur më shumë sesa për kushtet të cilat mbretërojnë në atë pallat. Unë vetë nuk punoj në Pallatin e Drejtësisë, por i kemi gjyqtarët tanë të cilët janë aty dhe edhe sot e kësaj dite ndajnë drejtësinë në ato hapësira. Megjithatë, kam qenë për vizitë dhe e kemi vizituar shumë herë Pallatin e Drejtësisë. Kushtet në këtë kohë të verës, me këtë nivel të temperaturave të larta, besoj që janë krejtësisht të papërballueshme për punë — gjë të cilën e kemi vërtetuar edhe vetë ne. Është punuar shumë pas nënshkrimit të memorandumit nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës me ministritë përkatëse, me qëllim që ne ta marrim në mbikëqyrje Pallatin e Drejtësisë. Është bërë një punë e madhe në këtë drejtim, si në sanim, ashtu edhe në përpjekjet e përditshme për të funksionuar ky lloj përmirësimi i kushteve nëpër disa zyra. Por, definitivisht, edhe sot e kësaj dite nuk është arritur të stabilizohet gjendja dhe kushtet e përgjithshme në Pallatin e Drejtësisë. Atëherë unë, edhe para se ta hidhni këtë pikë në votim, deklaroj se do të votoj pro. Jam pro që të autorizohet secili kryetar, varësisht prej kushteve që mbizotërojnë aty, që të ndërmarrë veprimet dhe hapat e duhur, sepse kjo bëhet e tëra për përmirësimin e gjendjes së gjyqtarëve”, tha ai.

Ndërkaq, kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaçi, theksoi se situata në Pallatin e Drejtësisë tashmë ka kaluar nga shqetësimi për kushtet e punës në rrezik për shëndetin e njerëzve.

“Në fakt, pajtohem me konstatimet. Unë që nga viti 2017 kam qenë pjesë e punës në Gjykatën e Apelit dhe pastaj në Gjykatën Supreme, dhe gjendja është alarmante. Gjendja është e papranueshme, është e patolerueshme dhe më nuk po flasim për kushtet e punës, por po flasim për jetën e njerëzve. Sa është humane dhe është detyrim i joni që të sigurohemi të paktën të mos pësojnë në shëndet. Domethënë, në temperatura të larta të verës, kur të arrijë ora 11:00, ne duhet të mendojmë a mundemi të qëndrojmë deri në orën 16:00. Ne kemi diskutuar edhe brenda institucionit, por edhe me aktorët e tjerë të përfshirë. Çështja nuk është që mund të riparohet diçka lehtë. Problemi kryesor lidhet me sistemin qendror të ftohjes dhe pa zëvendësimin e tij pothuajse nuk mund të përmirësohet gjendja. Për këtë çështje, sipas ekspertëve, kostoja është shumë e madhe. Ndërkohë, nevojitet buxhet shtesë. Kërkesa buxhetore është paraqitur, por duhet të miratohet nga ministria përkatëse. Derisa kjo të ndodhë, do ta kemi të njëjtën situatë – verës do të ketë nxehtë, dimrit do të ketë ftohtë”, tha ai.

Thaçi shtoi se mund të vendosin për reduktimin apo pezullimin deri në përmirësimin e gjendjes.

“Autorizojmë kryetarët e Gjykatës Supreme, së Apelit, Komerciale, Themelore dhe Administrative që të vlerësojnë kushtet e punës, gjendjen e temperaturave të larta dhe pavarësisht nga vlerësimi të vendosin për reduktimin e punës apo pezullimin deri në përmirësimin e gjendjes”, tha Thaçi.

Të ngjashme