Abdixhiku përkujton të rënët në Betejën e Loxhës

Prishtinë | 06 Kor 2026 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar të rënët në Betejën e Loxhës 28 vjet më parë.

Përmes, një postimi në faqen zyrtare të LDK-së në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka shkruar se Në Betejën e Lavdishme të Loxhës, ranë për të mos vdekur kurrë edhe heronjtë Lumni Surdulli dhe Enver Alaj, të cilët me trimërinë e pashoq treguan se ëndrrat kombëtare janë më të vlefshme se çdo gjë tjetër.

Postimi i plotë:

“Në këtë përvjetor të Betejës së Lavdishme të Loxhës kujtojmë dhe nderojmë heronjtë e shquar të historisë sonë, të gjithë ata që lanë gjurmë të paharrueshme duke luftuar për rrugëtimin e Kosovës që të jetë e lirë dhe e pavarur.

Në këtë ditë kujtese, nderojmë qëndresën, guximin dhe dashurinë e pashoq për atdheun të Kolonel Tahir Zemajt; strategut të urtë dhe komandantit të vendosur, që qëndroi krah për krah me Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova në rrugëtimin e vështirë për liri. Kujtojmë me nder dhe krenari Heroin Rrustem Bruçi; juristin, veprimtarin dhe luftëtarin e palodhur për të drejtat e popullit tonë, si dhe një prej themeluesve të LDK-së e komandantin e UÇK-së në zonën e Deçanit.

Në Betejën e Lavdishme të Loxhës, ranë për të mos vdekur kurrë edhe heronjtë Lumni Surdulli dhe Enver Alaj, të cilët me trimërinë e pashoq treguan se ëndrrat kombëtare janë më të vlefshme se çdo gjë tjetër.

Gjaku i derdhur për liri, në Loxhën heroike është amanet për ne të gjallët që të mos e harrojmë të kaluarën tonë të përgjakur dhe të punojmë fort në forcimin e idealit të të rënëve për liri.

Lavdi të gjithë të rënëve në betejën e Loxhës!”

Të ngjashme