Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ku është diskutuar për zgjidhjen afatgjatë të menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës.
Në takim, ku ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i parë, Avni Zogiani, u theksua rëndësia e krijimit të një infrastrukture moderne për trajtimin e mbeturinave dhe nevoja për identifikimin e një lokacioni të përshtatshëm për këtë projekt.
“Në takim u theksua nevoja për përcaktimin e një lokacioni të përshtatshëm për ndërtimin e një deponie moderne me komponentë të ndarjes dhe riciklimit të mbeturinave, si parakusht për modernizimin e sistemit të deponive dhe mbylljen e deponisë së Mirashit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Sipas ministrisë, projekti synon të krijojë një zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës, duke përfshirë riciklimin dhe ndarjen e tyre, si pjesë e modernizimit të sistemit ekzistues.
Pas diskutimeve, ministrja Pacolli dhe kryetari Ahmeti u pajtuan që institucionet qendrore dhe lokale të punojnë së bashku për realizimin e projektit.
“Të dyja palët u dakorduan të bashkëpunojnë ngushtë për identifikimin e lokacionit më të përshtatshëm për realizimin e këtij projekti”, thuhet në njoftim.