Avokati i Popullit ka njoftuar se ka hapur hetime sipas detyrës zyrtare lidhur me pretendimet për keqtrajtim të disa personave të arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan, më 28 qershor.
Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, vendimi për nisjen e hetimeve është marrë pas ankesave të pranuara nga qytetarët, informatave të dërguara nga organizata të ndryshme joqeveritare, si dhe raportimeve të publikuara në media, transmeton Klankosova.tv.
Në njoftim thuhet se disa nga personat e arrestuar kanë pretenduar se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit të tyre në stacion policor, si dhe se ndaj tyre janë cenuar të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Hetimet janë iniciuar me qëllim të verifikimit të fakteve dhe rrethanave të rastit, si dhe për të vlerësuar nëse gjatë trajtimit të personave të arrestuar janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, thuhet në njoftim.
Avokati i Popullit ka theksuar se çdo person i privuar nga liria duhet të trajtohet me dinjitet dhe në përputhje me ndalimin absolut të keqtrajtimit fizik, trajtimit çnjerëzor apo poshtërues.
Institucioni ka bërë të ditur se gjatë procesit hetimor do të mbledhë informacione dhe dokumentacion nga autoritetet kompetente, në përputhje me mandatin e tij ligjor.