Gati tri vjet pas sulmit të armatosur në Banjskë, Milan Radoiçiq ende nuk është përballur me një proces gjyqësor. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të kërkojnë përcaktimin e përgjegjësisë, ndërsa opozita në Serbi paralajmëron se rasti i Banjskës po shndërrohet në çështje të sundimit të ligjit dhe integrimeve evropiane të Serbisë.
Në qendër të vëmendjes vazhdon të jetë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili publikisht ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit që mori pjesë në sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Ndaj tij, në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, po zhvillohet procedurë, por pa një epilog gjyqësor. Ndërkohë, ndaj tij është lëshuar fletarrestim i kuq nga Interpoli, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Radoiçiq nuk ndiqet për krim, por “për shkak të Kosovës”.
Në kohën e sulmit, Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. Pas ngjarjeve në Banjskë, ai dha dorëheqje nga kjo pozitë.
Banjska barrë politike
Deputeti i opozitës nga Lëvizja Popullore e Serbisë, Aleksandar Ivanoviq, vlerëson se Banjska nuk është më vetëm çështje e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por një nga çështjet kryesore të hapura në raportet e Serbisë me Bashkimin Evropian.
“Pala shqiptare në Kosovë si çështje prioritare e paraqet Banjskën dhe ekstradimin e të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në atë sulm dhe që ndodhen në Serbi”, ka thënë Ivanoviq.
Ai paralajmëron se rasti paraqet një problem serioz politik për pushtetin në Beograd.
“Banjska është aktualisht një pengesë e madhe për pushtetin në Beograd. Nuk është e lehtë t’i procedojnë ose t’i ekstradojnë këta persona, sepse ata mund të bëhen dëshmitarë të mbrojtur dhe të flasin jo vetëm për Banjskën, por edhe për shumë raste të tjera. Prandaj, Banjska nuk është vetëm pengesë në negociatat me Bashkimin Evropian, por edhe barrë e madhe për qytetarët e Serbisë”, ka deklaruar Ivanoviq.
Parlamenti Evropian, në draft-raportin për Serbinë, përsërit pritshmërinë që Beogradi të bashkëpunojë plotësisht me Kosovën, në mënyrë që përgjegjësit për sulmin të dalin para drejtësisë, duke shprehur keqardhje që Serbia deri më tani nuk ka proceduar përgjegjësit, veçanërisht Milan Radoiçiqin.
Bizneset e të akuzuarve dhe çështja e sundimit të ligjit
Rasti i Banjskës, megjithatë, nuk përfundon vetëm me Milan Radoiçiqin. Derisa në Kosovë po zhvillohet proces gjyqësor ndaj më shumë se 40 të akuzuarve për sulmin e armatosur, disa nga të dyshuarit në Serbi vazhdojnë aktivitetet e tyre biznesore.
Hulumtime të shumta të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile tregojnë se biznesmenë të përfshirë në aktakuzën e Kosovës, ndër ta edhe Radule Steviq, drejtojnë kompani që operojnë në Serbi, marrin pjesë në tenderë publikë dhe posedojnë pasuri me vlerë të konsiderueshme. Për Radule Steviqin, opinioni ende nuk ka përgjigje nëse ndaj tij po zhvillohet hetim në Serbi apo nëse ai ndodhet në territorin serb, pasi policia dhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd nuk u janë përgjigjur pyetjeve të mediave.
Ndërkohë, Steviq dhe Radoiçiq janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të dyshimeve për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në listën e zezë amerikane ndodhet edhe biznesmeni kontrovers nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, bashkëpunëtor i afërt i Radoiçiqit.Advertisement
Opozita: Banjska është test për sundimin e ligjit
Deputeti i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Vladimir Pajiq, konsideron se pikërisht mungesa e procedimit të përgjegjësve ngre çështjen e sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë së institucioneve shtetërore.
“Pushteti sot është në problem, sepse personat e përfshirë në rastin e Banjskës ndodhen në Serbi, këtu zhvillojnë biznes dhe punojnë. Për këtë arsye, sipas mendimit tonë, është i penguar që të përballet me ta. Prej vitesh e ndjekim veprimtarinë e Milan Radoiçiqit dhe fakt është se ai në Serbi është absolutisht i mbrojtur. Prandaj nuk është befasi që ky rast nuk ka epilog gjyqësor. Konsiderojmë se Aleksandar Vuçiq dhe Partia Përparimtare Serbe nuk duan që ky proces të përfundojë dhe të marrin përgjegjësi për atë që ndodhi në Banjskë, sepse refuzojnë të përballen me përgjegjësit”, ka deklaruar Pajiq.
Beogradi refuzon ekstradimin e të akuzuarve në Kosovë, duke argumentuar se procedurat do t’i zhvillojë drejtësia vendore. Ndërkohë, Bashkimi Evropian vazhdon ta konsiderojë rastin e Banjskës si një nga çështjet kryesore në marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa NATO-ja, vendet e Kuintit dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë kanë kërkuar disa herë zbardhjen e plotë të përgjegjësisë për sulmin.
Pajiq vlerëson se rasti ka pasoja serioze në politikën e jashtme.
“Ngjarjet në Banjskë e kanë dobësuar seriozisht pozitën negociuese të Serbisë dhe i kanë shkaktuar dëm komunitetit serb në Kosovë. Përderisa nuk ka një epilog të qartë gjyqësor dhe përgjegjësi për atë që ndodhi, ky rast do të mbetet një barrë e madhe politike për Serbinë në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Gati tri vjet pas sulmit të armatosur, Banjskë mbetet një nga çështjet kryesore të hapura në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe një test për gatishmërinë e Serbisë për t’iu përgjigjur kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë në fushën e sundimit të ligjit.
Derisa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë rezultate konkrete në procedimin e përgjegjësve, epilogu gjyqësor në Serbi ende nuk është në horizont./RTK