Prokuroria në Gjakovë kërkon paraburgim për të dyshuarin për tentim-vrasje në Rahovec

Prishtinë | 07 Kor 2026 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se ka nisur hetimet ndaj të dyshuarit me inicialet E.H. dhe ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh, nën dyshimin për veprat penale “Vrasja në tentativë” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se ngjarja ka ndodhur më 5 korrik 2026, rreth orës 22:30, në rrugën “Gëzim Hamza” në Rahovec, pas një mosmarrëveshjeje të çastit mes të dyshuarit dhe të dëmtuarit F.M.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.H., më datë 05.07.2026 rreth orës 22:30 në Rahovec, rruga ‘Gëzim Hamza’, me dashje ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin F.M., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje momentale, me mjet të mprehtë – thikë që e posedonte me vete, e sulmon të dëmtuarin duke e goditur disa herë në pjesët vitale të trupit, respektivisht në pjesën e gjoksit”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria bën të ditur se i dëmtuari fillimisht është dërguar për trajtim në Emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa më pas, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ndërkohë, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas organit të akuzës, me këto veprime E.H. dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë”, sipas nenit 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Prokuroria njofton se i njëjti dyshohet se gjatë të njëjtit incident ka plagosur edhe një person tjetër.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.H., në të njëjtën datë, kohë dhe vend, pas sulmit me thikë ndaj të dëmtuarit F.M., me të njëjtin mjet ka sulmuar edhe të dëmtuarin E.H., duke e goditur në këmbën e djathtë, i cili për shkak të lëndimeve të pësuara është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë për trajtim mjekësor”, thuhet në komunikatë.

Për këtë rast, ndaj të dyshuarit rëndon edhe vepra penale “Lëndimi i lehtë trupor”, sipas nenit 185, paragrafi 2 të Kodit Penal.

Prokuroria ka bërë të ditur se E.H. ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh që nga 6 korriku 2026, ndërsa ka kërkuar nga gjykata caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Të ngjashme