Erdogan në Samitin e NATO-s: Turqia kontribuon në misionet e Aleancës, përfshirë edhe në Kosovë

Prishtinë | 08 Kor 2026 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Në hapje të takimit zyrtar të Samitit të NATO-s në Ankara, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Turqia vazhdon të jetë ndër vendet kryesore që kontribuojnë në operacionet, misionet dhe stërvitjet e Aleancës, shkruan Telegrafi.

Në fjalimin e tij, Erdogan theksoi se Turqia, si vendi me ushtrinë më të madhe në Evropë, është e gatshme t’i vendosë kapacitetet e saj në shërbim të NATO-s sa herë që kjo është e nevojshme.

“Si vendi që ka ushtrinë më të madhe në Evropë, ne përpiqemi t’i vëmë kapacitetet tona në shërbim të Aleancës në çdo fazë kur kjo është e nevojshme”, ka deklaruar Erdogan.

Ai përmendi edhe Kosovën si një nga vendet ku Turqia kontribuon në kuadër të angazhimeve të NATO-s.

“Në Kosovë, në Detin e Zi, në zonën e Baltikut dhe në rajone të tjera gjeografike, ne jemi ndër aleatët kryesorë që kontribuojnë në operacionet, misionet dhe stërvitjet e Aleancës”, tha presidenti turk.

Erdogan foli edhe për investimet e Turqisë në mbrojtjen ajrore dhe raketore, duke bërë të ditur se Ankaraja ka ndarë një buxhet shtesë prej 24 miliardë dollarësh.

Në fjalimin e tij, presidenti turk foli edhe për luftën në Ukrainë, krizën iraniane, sigurinë në Lindjen e Mesme dhe nevojën për solidaritet të plotë kundër të gjitha formave të terrorizmit.

Ai u shpreh se shpreson që Samiti i NATO-s në Ankara të sjellë rezultate të suksesshme për Aleancën.

Të ngjashme