Humbja e mllefos fort Egjiptin, ankohet në FIFA

Prishtinë | 08 Kor 2026 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Egjiptit ka paraqitur një ankesë zyrtare pranë FIFA-s dhe ka kërkuar nisjen e një hetimi për vendimet e gjyqtarëve në humbjen e saj ndaj Argjentinës në fazën e 1/8 të Kupës së Botës 2026.

Ata kanë kërkuar gjithashtu që gjyqtarët e ndeshjes të përjashtohen nga vazhdimi i turneut, duke i akuzuar për gabime të rënda dhe “standarde të dyfishta” në gjykim, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv

Në ndeshjen ndaj kampionëve në fuqi, Egjipti pretendon se u dëmtua nga disa vendime të diskutueshme. Një nga rastet kryesore ishte anulimi i golit të dytë të shënuar nga Mostafa Zico. Goli u anulua nga sistemi VAR pasi u konsiderua se mesfushori Marwan Attia kishte bërë faull ndaj Lisandro Martinez në fillim të aksionit, në një moment kur Egjipti kryesonte 1-0.

Përfaqësuesja egjiptiane pretendon gjithashtu se Mohamed Salah u pengua brenda zonës së rreptësisë së Argjentinës pak para se skuadra amerikano-jugore të niste kundërsulmin që solli golin e fitores dhe rezultatin përfundimtar 3-2.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Egjiptit, Hany Abou Rida, ka depozituar ankesën pranë FIFA-s duke kërkuar hetim ndaj gjyqtarit francez François Letexier dhe ekipit të tij të arbitrimit.

Sipas federatës egjiptiane, gabimet e gjyqtarëve ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin e takimit dhe çuan në eliminimin e Egjiptit nga Kupa e Botës.

FIFA pritet të shqyrtojë ankesën dhe të vendosë nëse do të hapë një procedurë zyrtare për analizimin e vendimeve të kontestuara.

Të ngjashme