Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e cilësoi si “shumë të suksesshëm” samitin e NATO-s të zhvilluar në Ankara, duke thënë se gjatë takimit mes liderëve mbizotëroi një atmosferë uniteti dhe mirëkuptimi.
Në konferencën për shtyp pas samitit, Trump u shpreh se diskutimet me dyer të mbyllura u zhvilluan në një klimë pozitive.
“Në sallë kishte një frymë të jashtëzakonshme. Ishte për të ardhur keq që media nuk mundi ta shihte, sepse aty kishte njerëz shumë të zgjuar dhe me qëllime të mira”, deklaroi ai.
Presidenti amerikan theksoi se një nga rezultatet kryesore të samitit ishte mbështetja e shumicës së vendeve anëtare për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Shumica e vendeve kanë rënë dakord. Ka ende disa që nuk e kanë bërë, por besoj se do t’i bashkohen këtij objektivi shumë shpejt”, tha Trump.
Ai shtoi se samiti u përqendrua te përparimi i aleatëve drejt këtij objektivi, duke theksuar se vendet europiane duhet të forcojnë më tej kapacitetet e tyre ushtarake.
Trump u ndal edhe te përfitimet që, sipas tij, do të ketë industria amerikane e mbrojtjes nga rritja e investimeve ushtarake të aleatëve.
“Ata kërkojnë pajisje amerikane sepse janë më të mirat në botë. Kjo është arsyeja pse i zgjedhin”, u shpreh presidenti amerikan.
Gjatë konferencës për shtyp, Trump komentoi gjithashtu çështje të tjera të politikës së jashtme dhe ekonomisë, përfshirë tarifat tregtare, Meksikën dhe platformën TikTok. /Panorama