Shfaqja “Shqipëria përmes syve të Byronit” e ka kthyer poezinë e Byronit në një përvojë skenike, duke rikrijuar udhëtimin e tij në trojet shqiptare të fillimit të shekullit XIX dhe admirimin që ai ka shprehur për njerëzit, kulturën dhe traditat shqiptare. Përmes interpretimit të Wiltonit, publiku është ftuar ta ndjekë rrëfimin e poetit për një vend që ai e ka përshkruar si simbol të lirisë, nderit, mikpritjes dhe dinjitetit njerëzor.
Figura e Lord Byronit, poetit romantik që i ka dhënë Shqipërisë një prej portretizimeve më të fuqishme në letërsinë evropiane, është rikthyer në vendlindjen e tij artistike, në Londër, nëpërmjet një produksioni që ndërthur teatrin, muzikën, folklorin dhe historinë shqiptare. Në skenën e “Shaw Theatre”, të hënën mbrëma, publiku ka pasur mundësinë të ndjekë produksionin etno-muzikor “Shqipëria përmes syve të Byronit” (“Albania Through Byron’s Eyes”), me shkrimtarin dhe aktorin britanik Robert Wilton, i cili jeton e vepron në Kosovë. Ai ka pasur rolin e poetit të famshëm.
Shfaqja e ka kthyer poezinë e Byronit në një përvojë skenike, duke rikrijuar udhëtimin e tij në trojet shqiptare të fillimit të shekullit XIX dhe admirimin që ai ka shprehur për njerëzit, kulturën dhe traditat shqiptare. Përmes interpretimit të Wiltonit, publiku është ftuar ta ndjekë rrëfimin e poetit për një vend që ai e ka përshkruar si simbol të lirisë, nderit, mikpritjes dhe dinjitetit njerëzor.
Sipas organizatorëve, produksioni është frymëzuar nga “Shtegtimet e Çajld Haroldit” (Kënga II), vepër në të cilën Byroni ka përjetësuar mbresat e tij nga udhëtimi në Shqipëri.
“Ruajmë identitetin duke e jetuar dhe përcjellë trashëgiminë tonë brez pas brezi”, ka shkruar Ensuida Keputa, drejtoreshë e “Empowered Women of Diaspora”.
Shfaqja është organizuar nga kjo organizatë, në partneritet me “British Albanian Youth & Culture”. Forumi i shkrimtarëve “Forum 26” konsideron se shfaqja “Shqipëria përmes syve të Bajronit” përfaqëson një urë të rëndësishme kulturore midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku letërsia, historia, muzika dhe identiteti kombëtar bashkohen përmes figurës së pavdekshme të Lord Byronit.
“Nëpërmjet interpretimit të Robert Wiltonit, publiku udhëhiqet në një udhëtim në Shqipërinë e fillimshekullit XIX, ashtu siç e pa dhe e përjetësoi Bajroni: një vend i lirisë, nderit, mikpritjes dhe dinjitetit njerëzor”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij njoftimi, interpretimi i Wiltonit përbën boshtin rrëfimtar të veprës “duke sjellë në skenë jo vetëm figurën e poetit romantik, por edhe admirimin e tij për shqiptarët, kulturën e tyre dhe rolin e gruas shqiptare si shtyllë e familjes dhe identitetit kombëtar”.
“Poezia e Bajronit shndërrohet kështu në një përvojë të gjallë teatrore, ku letërsia ndërthuret me muzikën, vallen dhe rrëfimin historik”, thuhet më tej.
Moment domethënës i mbrëmjes ka qenë edhe pjesëmarrja e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, që u ngjit në skenë në Londër për herë të parë pas rënies së regjimit komunist. Sipas organizatorëve, ngjarja ka peshë jo vetëm artistike, por edhe institucionale e kulturore.
Në qendër të këtij produksioni ishte Robert Wilton, një prej njohësve më të mirë britanikë të Kosovës dhe hapësirës shqiptare.
I lindur më 22 shkurt 1973, Wiltoni prej afro dy dekadash jeton dhe vepron në Kosovë, ku ka mësuar dhe përvetësuar në nivel të lartë gjuhën shqipe. Ai ka shërbyer si këshilltar i kryeministrit të Kosovës dhe si zëvendësambasador në Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.
Përveç angazhimit në diplomaci dhe çështje të Ballkanit, Wilton është edhe autor i disa romaneve historike. Libri i parë i serisë së tij “Kontrolluesi i përgjithshëm” është vlerësuar me Çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Historikë, ndërsa së fundmi ai ka botuar romanin “Helmim në Paris”. Interpretimi i tij si Lordi Bajron në Londër ka bashkuar përvojën letrare, njohjen e historisë shqiptare dhe lidhjen e tij të gjatë me Kosovën në një projekt që e rikthen figurën e poetit romantik në dialog me publikun bashkëkohor.
E hapësira ku është dhënë shfaqja, “Shaw Theatre” është një prej teatrove më të njohur të Londrës për produksione të pavarura, shfaqje muzikore, koncerte, vallëzim, komedi dhe ngjarje ndërkombëtare kulturore. Siç bëhet me dije, është një teatër me 446 ulëse që njihet për atmosferën intime dhe akustikën e mirë.
Teatri u hap më 2 prill 1971 fillimisht me emrin “Library Theatre”, si pjesë e Bibliotekës së “St Pancras”. Në vitin 1998 iu nënshtrua një rinovimi të plotë dhe mori emrin “Shaw Theatre”, në nder të dramaturgut irlandez, George Bernard Shaw, i cili kishte jetuar për një periudhë në zonën ku gjendet teatri. Që nga viti 2012, teatri është pjesë e hotelit “Pullman London St Pancras”.
Siç shkruhet për teatrin, gjatë më shumë se pesë dekadave të ekzistencës, në skenën e “Shaw Theatre” janë ngjitur artistë dhe produksione të shumta të teatrit, muzikës dhe vallëzimit. Në vitet e para aty kanë interpretuar aktorë si Vanessa Redgrave, ndërsa në fushën e muzikës skena ka pritur emra si Elton John, Van Morrison, Dionne Warwick dhe Boy George. Në vitin 1985, grupi “Queen” ka zhvilluar aty provat për koncertin historik të “Live Aid”.