Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Gjilan, me të cilin Erdonis Nuredini dhe Rabit Idrizi janë liruar nga akuza për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”.
Në këtë rast, dy të akuzuarit bashkë me Valdrin Halimin akuzoheshin për rastin e vrasjes së E.R., për shkak të borxhit prej 250 euro. Konkretisht, Halimi akuzohej për “Vrasje të rëndë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe për “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotope ose analoge”. Ndërsa, Nuredini akuzohej për veprën “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotope ose analoge” dhe po ashtu së bashku me të akuzuarin Idrizi ngarkohej për kryerjen e veprës penale në bashkëkryerje “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje të rëndë”.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore – DKR në Gjilan, kurse, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Gjilan, PKR.23/25 i datës 18.08.2025, vërtetohet. Ankesa e përfaqësuesit të autorizuar të palëve të dëmtuara A. R., H. R., A. S. dhe B. K., av. Skender Musa, hudhet si e palejuar”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 22 prill 2026, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Gjilan, në rigjykim, me aktgjykimin e 18 gushtit 2025, i ka liruar nga akuza të akuzuarit Erdonis Nuredini dhe Rabit Idrizi për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”.
Kundër këtij aktgjykimi, ankesë ka paraqitur Prokuroria Themelore në Gjilan, duke pretenduar në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shkelje të Ligjit Penal. Prokuroria ka kërkuar që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin dhe t’i shpallë të akuzuarit fajtorë ose ta anulojë atë dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.
Ankesë ka paraqitur edhe përfaqësuesi i autorizuar i palëve të dëmtuara A.R., H.R., A.S. dhe B.K., avokati Skender Musa, me kërkesë për ndryshimin e aktgjykimit ose anulimin e tij.
Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ardit Latifi (për Erdonis Nuredinin) dhe Milot Spahiu (për Rabit Idrizin), përmes përgjigjes në ankesën e Prokurorisë kanë kundërshtuar ankesat si të pabazuara dhe kanë kërkuar vërtetimin e aktgjykimit lirues.
Gjykata e Apelit, në kolegjin e përbërë nga kryetarja Valbona Musliu-Selimaj dhe antarët Xhevdet Abazi dhe Kadrije Goga-Lubishtani, ka konstatuar se ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan nuk është e bazuar, ndërsa ankesa e përfaqësuesit të autorizuar të palëve të dëmtuara është e palejuar.
Apeli vlerëson se aktgjykimi i Gjykatës Themelore është i qartë, konkret dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare.
Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë, ka vërtetuar gjendjen faktike bazuar në provat e proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor deklaratat e dëshmitarëve A. R., H. R., A. S., B. K., si dhe deklaratat e vet të akuzuarve Nuredini dhe Idrizi, bashkë me provat materiale si raportet e ekspertimit balistik, raportin e autopsisë, foto-albumet, skicat e vendit të ngjarjes, raportin e rikonstruimit dhe të dhënat e tjera.
Apelit konstaton se me provat e administruara nuk është vërtetuar se të akuzuarit Erdonis Nuredini dhe Rabit Idrizi kanë kryer ndonjë veprim inkriminues që do të përbënte ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.
Gjykata thekson se të akuzuarit nuk kanë pasur njohuri se Valdrin Halimi posedonte armë zjarri apo se kishte shkuar me qëllim për ta privuar nga jeta tani të ndjerin E.R. Dhe se konfrontimi verbal dhe të shtënat me armë kanë ndodhur larg automjetit ku ndodheshin Nuredini dhe Idrizi.
Gjykata e Apelit vlerëson se pas kryerjes së veprës penale nga Valdrin Halimi i cili është shpallur fajtor për “Vrasje të rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”, të akuzuarit e kanë marrë Halimin e plagosur dhe e kanë dërguar në Spitalin e Gjilanit për t’i dhënë ndihmë të parë, duke kryer kështu detyrën e ofrimit të ndihmës personit të plagosur.
Apeli rithekson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar në pajtim me parimin e prezumimit të pafajësisë dhe parimin in dubio pro reo, duke theksuar se barra e provës i takon Prokurorisë dhe se çdo dyshim lidhur me ekzistimin e elementeve të veprës penale duhet të interpretohet në favor të të akuzuarve.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan me aktgjykimin e datës 8 nëntor 2024, ka shpallur fajtor Valdrin Halimin dhe e ka dënuar me dënim unik prej 12 vjet burgim dhe 500 euro gjobë për vrasje të rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, armëmbajtje pa leje dhe posedim të narkotikëve. Erdonis Nuredini u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 800 euro gjobë për posedim narkotikësh. Nuredini dhe Rabit Idrizi u liruan nga akuza për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Ndërsa, Gjykata e Apelit me vendimin e datës 7 mars 2025 ka vërtetuar dënimet ndaj Valdrin Halimit dhe Erdonis Nuredinit, por e ka anuluar pjesën liruese ndaj Nuredinit dhe Rabit Idrizit për ndihmë në vrasje të rëndë, duke e kthyer rastin në rigjykim në Gjykatën Themelore.
Në rigjykim, me vendimin e 18 gushtit 2025, Themelorja liroi nga akuza të akuzuarit Erdonis Nuredini dhe Rabit Idrizi, me arsyetimin se nuk është vërtetuar që kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 26 maj 2022 nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, i pandehuri Valdrin Halimi më 8 nëntor 2021 rreth orës 20:40, në lagjen “Arbëria” në Gjilan, në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit E.R, me veprim të drejtpërdrejtë, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin E., me qëllim të fitimit të dobisë pasurore në shumë prej 250 euro, ku i njëjti nga fshati Pogragjë niset në drejtim të Gjilanit te i ndjeri me qëllim që t’i marrë 250 euro (të cilat ia kishte tani i ndjeri borxh), së bashku me të pandehurit Erdonis Nuredini e Rabit Idrizi me veturën e markës “Golf II” të cilën e ka drejtuar i pandehuri Nuredini.
Në aktakuzë thuhet se të lartcekurit pasi arrijnë para shtëpisë së tani të ndjerit, ku i pandehuri Valdrin zbret nga vetura takohet me të njëjtin, ofrohet afër tij, ia vë dorën mbi supe dhe nxjerr nga xhepi revolen, të cilën ia drejton tani të ndjerit në afërsi, duke i thënë “Bjermi paret”. Në këto çaste, sipas aktakuzës E.R., hyn në shtëpi brenda merr një revole, del jashtë dhe përnjëherë i pandehuri Valdrin shkrep dy herë në drejtim të tij, dhe më pas i ndjeri shkrep pesë herë në drejtim të pandehurit nga një distancë prej 10 metra dhe nga shkrepja e armës dhe nga plagët e marra në kraharor, tani i ndjeri nuk mund të mbijetojë dhe në spital ndërron jetë.
Me këtë rast, Halimi akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nëpar.1.5 dhe 1.6 të KPRK-së.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Halimi në vendin dhe datën e njëjtë, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armë të zjarrit edhe ate pistoletën e llojit ‘Zoraki’, me një karikator dhe dy fishekë, të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Me çka, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Më tej, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Halimi, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, e cila është shpallur me ligj si narkotik i rrezikshëm, ashtu që në orët e vona të natës në fshatin Pogragjë, të Gjilanit, gjatë kontrollimit nga ana e zyrtarëve policorë, në veturën “Golf 2”, te ndërruesi i shpejtësisë është gjetur dhe sekuestruar 1.9 gram substancë narkotike e llojit marihunë, një pako me rizlla dhe një blinder për bluarjen e substancës narkotike.
Më këtë rast, i njëjti akuzohej se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269, par.1 lidhur me par.3 të KPRK- së.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Nuredini, më 8 nëntor 2021, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, e cila është shpallur me ligj si narkotik i rrezikshëm, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit të 9 nëntorit 2021 në hyrje të fshatit Pogragjë, në një livadh nga ana e zyrtarëve policorë është gjetur dhe sekuestruar 10.5 gramë substancë narkotike e llojit marihunë, të cilën e kishte hedhur i pandehuri Erdonsi Nuredini.
Për këtë, ai ngarkohej se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269, par.1 lidhur me par.3 të KPRK- së.
Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nuredini së bashku me Rabit Idrizin më 8 nëntor 2021 rreth orës 20:40, në lagjen “Arbëria” të Gjilanit, në afërsi të shtëpisë së të dëmtuarit tani të ndjerit E.R., e kanë ndihmuar të pandehurin Valdrin Halimi, në atë mënyrë që të pandehurit Rabit Idrizi dhe Erdonis Nuredini edhe pse e kanë ditur se ka komunikuar në telefon i pandehurit Valdrin me tani të ndjerin Egzon, hipin në veturë me qëllim që të ndihmojnë në kryerjen e veprës penale.
Më këtë rast, të njëjtit akuzoheshin se bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ndihma në kryerja e veprës penale të vrasje të rëndë”, nga neni 173, par.1, nëpar. 1.5 dhe 1.6 lidhur me nenin 31 dhe nenin 33 të KPRK-së.