SHBA dhe Serbia mbajnë Dialogun e parë Strategjik, nënshkruhen marrëveshje për energjinë, mbrojtjen dhe teknologjinë

Prishtinë | 17 Kor 2026 | 21:56 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Serbia kanë zhvilluar të premten në Uashington Dialogun e parë Strategjik, të udhëhequr nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq.

Në një deklaratë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se dialogu shënoi një hap të rëndësishëm drejt thellimit të partneritetit mes dy vendeve.

“Dialogu Strategjik shënoi një synim të përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë dhe rritjen e bashkëpunimit dypalësh për promovimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit, ndërsa të dyja vendet po shënojnë 145-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike”, thuhet në deklaratë.

Në kuadër të dialogut, SHBA-ja dhe Serbia nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë rajonale të energjisë.

Departamenti i Shtetit njoftoi se Uashingtoni mirëpriti vendimin paraprak të Serbisë për të vazhduar me projektin hidroenergjetik Gjerdap III (Porta e Hekurt III), duke e cilësuar atë si projektin e parë të identifikuar në kuadër të Marrëveshjes Ndërqeveritare për Energjinë.

“Ky projekt paraqet një investim të rëndësishëm në infrastrukturën energjetike rajonale dhe një hap drejt një Serbie më të pavarur në aspektin energjetik”, theksohet në deklaratë.

Po ashtu, SHBA-ja mirëpriti garancinë e kredisë prej 50 milionë dollarësh nga Banka e Eksport-Importit e SHBA-së për grupin Telekom Srbija, e cila synon zhvillimin e rrjetit 5G në Serbi me furnizues të besueshëm.

Në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, të dy vendet riafirmuan angazhimin për ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale, duke u zotuar për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak.

“Shtetet e Bashkuara dhe Serbia riafirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale dhe u zotuan të rrisin ritmin e angazhimeve ushtarake dypalëshe”, thuhet në deklaratë.

Departamenti i Shtetit bëri të ditur gjithashtu se Serbia ka kërkuar blerjen e pajisjeve mbrojtëse amerikane për të rritur ndërveprueshmërinë e forcave të armatosura të të dy vendeve, ndërsa SHBA-ja ka ndarë 1.5 milionë dollarë për vazhdimin e bashkëpunimit në çminimin civil.

Në deklaratë, SHBA-ja shprehu edhe ngushëllime për humbjen e një paqeruajtësi serb që shërbente në misionin e OKB-së në Liban (UNIFIL).

Në fushën e shkencës dhe teknologjisë, Uashingtoni mirëpriti vendimin e Serbisë për t’iu bashkuar Marrëveshjeve Artemis.

“Këto janë një grup parimesh për eksplorimin dhe përdorimin civil të hapësirës në mënyrë transparente, të sigurt dhe të përgjegjshme, të cilat do të mundësojnë zgjerimin e bashkëpunimit paqësor në hapësirën e thellë përmes shkëmbimit të njohurive dhe të dhënave shkencore”, thuhet në deklaratë.

Dy vendet nënshkruan gjithashtu një Memorandum Mirëkuptimi për ndarjen e kostove të programit Fulbright, ndërsa Serbia u zotua të kontribuojë me 300 mijë dollarë në vit për zgjerimin e programit të shkëmbimit akademik.

Departamenti i Shtetit rikonfirmoi edhe pjesëmarrjen e SHBA-së në Expo 2027 në Beograd, ndërsa mirëpriti gatishmërinë e Serbisë për të shqyrtuar bashkimin me Praktikat më të Mira për Parimet e Uashingtonit mbi Artin e Konfiskuar nga Nazistët.

Të ngjashme