Mbrëmja “Young Classics”u mbajt të hënën në kuadër të edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival, duke sjellë në skenë interpretimet e fëmijëve dhe të rinjve të talentuar.
Pavarësisht kushteve të pafavorshme atmosferike gjatë ditës, aktiviteti u realizua me sukses, ndërsa publiku ndoqi një program të ndërthurur mes muzikës klasike dhe melodive të njohura.
Në bashkëpunim me Orkestrën dhe Korin e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus”, nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, në skenë u paraqitën pianisti i ri Ermes Balili, sopranot Ana Tafani dhe Anita Kerhani, tenori Rizah Jahaj, si dhe solistët e Korit “Amadeus”: Elsa Halilaj, Anna Krasniqi dhe Urata Muhadri.
Programi ndërthuri kryeveprat e repertorit klasik me kolonat zanore më të njohura nga filmat Disney, duke sjellë një kombinim mes traditës së muzikës klasike dhe energjisë së interpretuesve të rinj.
“Young Classics” është pjesë e programit të edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival, i cili po zhvillohet nga 4 deri më 29 korrik nën moton “Play Music, Not War”. Të gjitha aktivitetet e festivalit janë falas për publikun, me përjashtim të Gala Night “Rame Lahaj & Friends”, e cila do të mbahet më 29 korrik. Biletat mund të blihen online përmes Rave Travel dhe në pikat zyrtare të shitjes.



