Përvjetori i opinionit të GJND-së, Kurti: Vendimi forcoi themelet e shtetësisë së Kosovës

Prishtinë | 22 Kor 2026 | 13:06 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar përvjetorin e opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetit dhe një referencë të rëndësishme në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare.

Në një postim publik, Kurti theksoi se opinioni i GJND-së, i cili konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, i dha fund një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë së Kosovës.

Sipas tij, ky opinion riafirmoi parimin se e drejta ndërkombëtare nuk ekziston për të ruajtur padrejtësinë, por për të krijuar hapësirë që paqja, liria dhe vetëvendosja demokratike të gjejnë shprehje brenda rendit juridik ndërkombëtar.

Kurti vlerësoi se për Kosovën ky ishte një moment që forcoi themelet e subjektivitetit ndërkombëtar, ndërsa për bashkësinë ndërkombëtare shërbeu si një sqarim i rëndësishëm se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë dhe se çdo rast duhet të vlerësohet mbi bazën e fakteve dhe normave përkatëse.

Ai shtoi se mbrojtja e kësaj trashëgimie nuk duhet të mbetet vetëm në kujtesë, por të dëshmohet çdo ditë përmes institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe forcimit të legjitimitetit të Republikës së Kosovës përmes punës, zhvillimit dhe përgjegjësisë.

Në fund, Kurti kujtoi se opinioni këshillues u shpall nga kryetari i atëhershëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, profesori Hisashi Owada, i cili vitin e kaluar u nderua nga Universiteti i Prishtinës me titullin “Doctor Honoris Causa” për kontributin e tij në fushën e së drejtës ndërkombëtare, angazhimin për drejtësinë dhe promovimin e paqes globale.

Të ngjashme