Bashkimi Evropian në Kosovë ka shprehur keqardhje për rrënimin e shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit, duke ngritur shqetësime për respektimin e procedurës së rregullt ligjore dhe duke u bërë thirrje autoriteteve që të ndalin çdo veprim të mëtejshëm derisa të trajtohen çështjet ligjore dhe pronësore.
Në reagimin e saj, BE-ja thekson se rrënimi i objekteve ndodhi në kohën kur banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit të paraparë.
“BE-ja në Kosovë shpreh keqardhje për rrënimin e djeshëm të shtëpive pranë Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, i cili ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc/Ibar-Lepenac për lirimin dhe pastrimin e tokës”, tha BE-ja.
Sipas BE-së, raste të tilla, si edhe disa zhvillime të tjera në veri të Kosovës muajt e fundit, ngrenë shqetësime serioze për sundimin e ligjit.
“BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”, thuhet në reagim.
Delegacioni i BE-së kërkon ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi apo largimi të detyruar derisa të adresohen të gjitha çështjet ligjore.
“Ajo bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur”, thekson BE-ja.
Po ashtu, BE-ja u kërkon autoriteteve të bashkëpunojnë me banorët dhe komunat e prekura për të gjetur zgjidhje në përputhje me ligjin.
“Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme”, u shpreh ai.
Në reagim flitet edhe për rolin e Policisë së Kosovës në operacione të tilla.
“Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur”, thotë BE-ja.
BE-ja paralajmëron se masat e pakthyeshme gjatë proceseve gjyqësore në zhvillim mund të cenojnë sundimin e ligjit.
“Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrisin shqetësime serioze për sundimin e ligjit”, thuhet tutje.
Bashkimi Evropian pret që autoritetet e Kosovës t’i trajtojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë.
“Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”, thuhet tutje në reagim.