Aksidenti tragjik në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, viktimë një 52-vjeçare

Prishtinë | 23 Kor 2026 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

Një grua ka vdekur dhe disa persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot rreth orës 05:00 në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, në fshatin Studime.

Rastin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se si pasojë e aksidentit një grua ka humbur jetën, ndërsa disa persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

Sipas Hoxhës, në aksident janë përfshirë dy automjete, ndërsa ekipet emergjente dhe zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë në vendin e ngjarjes. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

“Rreth orës 05:00, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, në fshatin Studime, është shkaktuar një aksident trafiku ku janë përfshirë dy automjete. Aksidenti ka rezultuar me pasoja fatale, ku një femër raportohet se ka humbur jetën dhe disa persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore. Ekipet emergjente dhe zjarrfikësit kanë reaguar në vendin e ngjarjes, ndërsa policia po zhvillon hetime për të konstatuar shkaqet e aksidentit”, ka deklaruar Hoxha.

Hoxha ka përsëritur apelin për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në trafik dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

“Ditëve të fundit ka pasur raportime për humbje jetësh në rrugët tona si pasojë e aksidenteve në trafik. Policia po punon me ekipet e saj për parandalimin e tyre dhe marrjen e masave operative. Kërkojmë nga të gjithë drejtuesit e automjeteve të jenë më të kujdesshëm, të respektojnë shenjat e trafikut dhe kushtet e rrugës. Mos përdorni telefonat gjatë vozitjes, pasi shpërqendrimi mund të jetë fatal si për ju, ashtu edhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik”, ka thënë Hoxha.

Të ngjashme