Katër muaj burgim për Eqrem Avdullahun për komentin kërcënues ndaj Hysni Gucatit

Prishtinë | 23 Kor 2026 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Drenas ka dënuar me burgim prej katër muajve Eqrem Avdullahun nga Rahoveci, i cili akuzohet për veprën penale “kanosje”, ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, raporton Ekonomia Online.

Në seancën përfundimtare, gjyqtari Shefqet Baleci tha se i akuzuari dënohet edhe me shumën prej 70 euro, derisa palët mund të ankohen për vendimin.

“Shpallë këtë. Në emër të popullit aktgjykim. I akuzuari Eqrem Avdullahu me shënime personale si dhe në procesverbal të këtij shqyrtimi fillestar është fajtor sepse me datën 3 qershor 2026 i akuzuari Eqrem Avdullahu përmes rrjetit social Facebook me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit serizoisht e kishte kanosur të dëmtuarin Hysni Gucati në atë mënyrë që në një faqe në Facebook me emrin “Diaspora në Krye” kishte postuar një fotografi të dëmtuarit me mbishkrimin “Prokuroria heton Hysni Gucatin – mori rrogë për 19 vite si sekretar shkolle pa shkuar në punë”, ku pastaj i akuzuari përmes rrjetit social personal të tij Facebookme emrin Eqrem Avdullahu kishte shkrur koment me fjalën “këtë derr duhet pushkatuar” me këtë rast të Hysni Gucati ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij”, ka thënë ai.

“Gjykata të akuzuarit Eqrem Avdullahu i shqipton dënim me burg në kohëzgjatje prej katër muajve të cilin do ta vuaj 15 ditë pas plotfuqishmërisë të këtij aktjgykimi”, shtoi ai.

Sipas Prokurorisë, Avdullahu kishte kërcënuar përmes rrjetit social Facebook kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

I akuzuari, Eqrem Avdullahu, në seancën e mbajtur më 20 korrik e kishte pranuar fajësinë për veprën penale të kanosjes dhe kishte kërkuar falje.

Të ngjashme