Ish-presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohje për Policinë e Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj në mbrojtjen e rendit kushtetues, sigurisë dhe sovranitetit të vendit.
Në një mesazh të publikuar me rastin e Ditës Memoriale kushtuar policëve të rënë në detyrë, Osmani tha se Policia e Kosovës çdo ditë mbron Republikën me guxim, profesionalizëm dhe besnikëri.
“Ajo është mburoja e sigurisë, rendit kushtetues dhe sovranitetit të shtetit, në paqe e në sfida, në veri e në jug, në çdo pëllëmbë të Kosovës”, u shpreh ish-presidentja.
Osmani nderoi kujtimin e policëve të rënë në krye të detyrës, duke përmendur Afrim Bunjakun, Enver Zymerin dhe të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë dhënë jetën në shërbim të vendit.
Sipas saj, ata zgjodhën detyrën, nderin dhe atdheun mbi gjithçka, duke dëshmuar se Kosova nuk përkulet para askujt.
“Lavdia për ta do të jetë e përjetshme”, përfundoi Osmani.