Në vitet 1990, një brez i tërë u privua nga ndërgjegjja historike, përmes një rrëfimi të fuqishëm dhe në dukje të paprecedentë. Ky tregim, i krijuar në kohën kur Lufta e Ftohtë po mbaronte, shpallte se kufijtë – realë apo imagjinarë – kishin pushuar funksionin që kishin më parë. Njerëzit nuk ishin më të mbyllur brenda gjeografive apo identiteteve të tyre të vjetra. Ata tani banonin në një botë të re që dukej sikur ishte shkëputur nga zhvillimi i zakonshëm i shoqërisë njerëzore.
“Globalizimi” ishte koncepti i zgjedhur për të përshkruar këtë moment transformues në historinë njerëzore. Ai përshkruante se si teknologjitë e reja dhe rrjetet e lidhjes kishin afruar papritur komunitetet njerëzore dhe i kishin bërë ato të përshkueshme nga një rrjedhë e pakontrollueshme njerëzish, idesh, mallrash dhe praktikash kulturore, të cilat lëviznin lirshëm nëpër tregjet e integruara të ekonomisë botërore. Në vijim të këtij transformimi, u shfaqën edhe termat e rinj që shprehnin një ankth të ri: bota ishte bërë vërtet “fshati global” të cilin Marshall McLuhan e kishte parashikuar në vitet 1960, por një botë e formësuar nga korporatat shumëkombëshe dhe “globalistët elitarë” që flisnin një “anglishte globale” hegjemone, dhe të cilët udhëhiqnin një “homogjenizëm” shkatërrues (ose “Mekdonaldizëm”) të kulturave njerëzore të cilin kufijtë kombëtarë ishin shumë të dobët për ta ndaluar.
Gjatë tri dekadave të fundit, gjithnjë e më shumë njerëz kanë filluar ta shohin botën tonë “globale” si një mallkim. Me ndrydhjen e përmasave kohë-hapësirë, globalizimi duket se na ka shkëputur nga logjika dhe rrjedha e historisë. Identitetet tona të dyshimta, bastarde – të qepura nga copa të kulturave të ndryshme – duken të papajtueshme me traditat “autentike” dhe mënyrat e jetesës së të parëve tanë. Jemi bërë të huaj për vendet që ata i quanin atdhe, për mënyrën si visheshin, si ushqeheshin apo si komunikonin mes vete. Dhe, pa një model se si të jetojmë dhe pa përvojën nga e cila do të mësojmë, sirenat shurdhuese të lëvizjeve kundër globalizimit po na tërheqin gjithnjë e më shumë drejt identiteteve dhe kufijve më të sigurt të një të kaluare të artë dhe të humbur.
Ky tregim mbi globalizimin është historia më e suksesshme frikësuese e kohës sonë. Dhe, si të gjitha rrëfimet e frikshme, ajo ushqen frikën tonë nga e panjohura e madhe.
Por, gjithçka është një iluzion. Nuk ka ndonjë botë të re globale.
E tashmja jonë na duket e tillë vetëm sepse kemi harruar të kaluarën tonë të përbashkët. Globalizimi nuk filloi në vitet 1990, as në mijëvjeçar e fundit. Kujtimi i kësaj historie të vjetër dhe të përbashkët është një rrugë drejt një tregimi tjetër, që fillon shumë, shumë më herët – shumë përpara ardhjes së zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit, anijeve që lundronin nëpër oqeane, dhe rrugëve të mëdha të mëndafshit që përshkonin kontinentet. Tregimi i globalizimit është i shkruar përgjatë gjithë historisë njerëzore. Atëherë, pse vazhdojmë ta rrëfejmë këtë histori gabimisht?
Një endje nëpër tregun Grote Markt, në qytetin holandez të Groningenit, diku në vitet 2020. Një zonjë që drejton një tezgë e pyet një klient nëse e do humusin “natyral”, me çfarë nënkupton “të pastër”. Ai duket i hutuar, ndërsa ajo i tregon me dorë për variantet portokalli, të gjelbër dhe vjollcë të humusit që ka në ofertë. Atij i duhej pak kohë që të provonte versionin origjinal – atë pastë të zbehtë që e kishte shtyrë të konsumonte më shumë qiqra, fara susami dhe vaj ulliri se të gjithë paraardhësit e tij së bashku – kështu që humusi vjollcë do të duhej të priste për një ditë tjetër. Ai murmuriti: “Të vërtetin, ju lutem”, dhe nxiton drejt një tezge tjetër për të marrë artikullin e fundit në listën e tij të blerjeve: patatet, përbërësin më elementar të kuzhinës holandeze. Diku tjetër në treg, klientë të tjerë kërkonin përbërësit e tyre të preferuar. Disa kërkonin miell gruri të plotë për një bukë të fermentuar në stilin francez ose oriz basmati për një recetë irakiane; të tjerët blenë miell misri për një puding nigerian, domate për një salcë të freskët makaronash italiane, apo ullinj për një sallatë greke.
Tregjet si ky janë vende të përsosura për të vëzhguar lëvizjen dhe përzierjen e njerëzve, mallrave, ideve dhe zakoneve – atë që sot e quajmë globalizim. Ato janë gjithashtu vende ku mund të fillojmë të imagjinojmë historinë më të gjatë të këtij procesi.
Shumë tregje historike u themeluan shumë përpara epokës sonë globale. Kur Grote Markt filloi të funksiononte në fundin e Mesjetës, pak nga prodhimet që sot janë në dispozicion të komunitetit ndërkombëtar të Groningenit, do të kishin qenë të pranishme. Në atë kohë, vizitorët e tregut vinin gjithashtu nga territore më të afërta dhe më të kufizuara, dhe shumica e tyre ende flisnin dialektet e tyre rajonale. Por, në vitin 1493, horizontet imagjinative të jetës së përditshme në këtë dhe në tregjet e tjera evropiane, papritur u zgjeruan, pasi nisi të qarkullonte lajmi për një zbulim të jashtëzakonshëm: ekzistonte një botë e panjohur njerëzore përtej brigjeve të Evropës. Ishte një botë aq e papritur dhe aq e ndryshme, në dukje, saqë tronditi ndërgjegjen evropiane në themel.
Pasi Kristofor Kolombi [Christopher Columbus] në vitin 1492 mbërriti në tokat të cilat më vonë do të quheshin “Amerikat”, njerëzimi përjetoi një proces katërqindvjeçar të integrimit intensiv botëror, të nxitur nga imperializmi, tregtia, feja, një kulturë e re e lëvizjeve dhe një kureshtje intelektuale dhe e çliruar nga zinxhirët e traditës. Ndërsa u krijuan rrjetet e sigurta të lidhjeve detare dhe tokësore, popujt e “Botës së Vjetër” dhe “Botës së Re” u bashkuan në mënyrën më të dhunshme dhe më transformuese të mundshme. Ky proces hapi atë që historiani Alfred W Crosby Jr në vitin 1972 e quajti “shkëmbimi kolumbian”: një lëvizje e gjerë ndërkontinentale, e nxitur nga njeriu, e kafshëve, bimëve dhe mikroorganizmave që bartnin sëmundje – një shkëmbim që ndryshoi përgjithmonë profilin biologjik të Tokës dhe jetën ekonomike, kulturore dhe politike të banorëve të saj.
Për shumë historianë, kjo “epokë e hershme moderne”, që shtrihet nga vitet 1500 deri në vitet 1800, përfaqëson fazën e parë të globalizimit. Sipas tyre, kjo periudhë solli në jetë ekonominë e parë globale kapitaliste dhe tregun e parë të integruar botëror, e nisi një përzierje të paprecedentë të kulturave dhe etnive vendore dhe kristalizoi ndërgjegjen e parë globale për një botë të përbashkët. Ajo ishte aq e fuqishme, saqë ndikimet e saj vazhdojnë të ndihen deri sot në dieta, gjuhë, ekonomi, regjime shoqërore dhe juridike, balanca ndërkombëtare të fuqisë politike e ushtarake, si dhe në kornizat dhe institucionet shkencore. Madje, kjo epokë ndihmoi në formësimin e koncepteve tona filozofike për “vetveten”, të lindura nga tronditja e evropianëve përballë zbulimit të “tjetrit”.
Por, edhe kjo epokë nuk ishte epoka e parë globale në historinë njerëzore. Ajo vetë ishte produkt i lëvizjeve, takimeve dhe shkëmbimeve më të hershme globale. Në fakt, globalizimi i hershëm modern ishte thjesht një episod i përshpejtuar i një procesi të përgjithshëm që ka qenë i pranishëm prej dhjetëra mijëra vitesh.
Kujtesa kolektive njerëzore është një depo e pjesshme dhe e papërsosur e ballafaqimeve tona me njëri-tjetrin në kohë. Ne nuk jemi të mirë kujtesë dhe aq më pak në pranimin e mënyrave se si këto përballje kanë formësuar shoqëritë, kulturat dhe ekonomitë tona të sotme. Atëherë, si ndodhi që harruam?
Teoricienët e globalizimit që ndjekin sociologun Roland Robertson, përdorin termin “glokalizim” për të përshkruar mënyrën se si kulturat lokale përthithin produktet e tregut global dhe i shndërrojnë ato në diçka që duket e re. Nëpërmjet këtij procesi, mallrat që vijnë nga jashtë – teknologjitë, idetë, simbolet, stilet artistike, praktikat shoqërore apo institucionet – asimilohen, duke u bërë rikrijime hibride që marrin kuptime të reja. Këto rikrijime më pas ripërdoren si shenja të reja të dallimeve kulturore apo klasore, duke i sedimentuar produktet e huazuara kulturore në vetëdijen kolektive deri në atë pikë saqë nuk i njohim më si të huaja. Dhe, kështu, globalja bëhet lokale, e huaja bëhet e njohur, dhe “tjetri” bëhet “ne”. Glokalizimi është mënyra dhe arsyeja pse ne harrojmë kolektivisht. Ky është mashtrimi i heshtur i çdo globalizimi në historinë tonë: harresa jonë është metoda dhe vula e suksesit të tij.
Çdo brez përvetëson trashëgimitë e shkëmbimeve globale dhe i rimodelon ato si të vetat. Gërmimi në sedimentet që paraardhësit tanë kanë lënë në ndërgjegjen kolektive, nuk është një detyrë që ne e bëjmë natyrshëm. Është një akt kujtese dhe vetënjohjeje që mund të tronditë identitetet tona, sepse bie ndesh me proceset që u japin atyre “autenticitet”.
Ky gërmim bëhet edhe më i vështirë për shkak të prirjes sonë për t’u përqendruar te unikja e së tashmes. Duke u kufizuar vetëm në hollësitë e momentit aktual global, ne shpërfillim manifestimet më të dukshme të së kaluarës së thellë të globalizimit. Merrni parasysh këto tipare të gjera dhe përcaktuese të qytetërimit njerëzor: disa prej feve tona botërore, paradigmën dominuese të komunikimit të shkruar dhe normat etike të sjelljes shoqërore që gjerësisht janë të përbashkëta. Merrni parasysh edhe mënyrën (kuazi-)universale të jetesës agrare dhe rendin tonë ushqimor e psikotropik që mbështetet në një numër jashtëzakonisht të vogël bimësh të kulturave të niseshtes (si gruri, misri, orizi), kafshësh të zbutura (lopë, pula) dhe stimuluesish (kafe, sheqer) që konsumohen në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë planetin. Këto karakteristika i paraprijnë epokës sonë “globale” mijëra vjet më parë. Dhe, mund të thuhet me plot të drejtë se janë tipare më themelore të kulturës njerëzore dhe ilustrime më përfaqësuese të globalizimit sesa K-popi [muzika pop e Koresë së Jugut] apo sandalet gjermane [Birkenstock] – të cilat vetë janë një rimarrje e vonë e produkteve identike ose të ngjashme që kanë qarkulluar prej të paktën 10 mijë vjetësh.