Fruthi prek fëmijët e një kopshti në Fushë Kosovë? Prindi ngre shqetësimin, Infektiva konfirmon katër raste të reja

Prishtinë | 29 Kor 2026 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Një prind ka ngritur shqetësime për gjendjen shëndetësore të disa fëmijëve që vijojnë kopshtin VIP KIDS 2 në Bresje të Fushë Kosovës, duke pretenduar se disa prej tyre janë duke marrë trajtim në institucionet shëndetësore.

Prindi, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, ka deklaruar për Sinjalin se djali i tij 15-muajsh, që vijon kopshtin VIP KIDS 2, është sëmurë dhe fillimisht është dërguar në Pulmologji e më pas në Infektivë, ku sipas tij, është duke qëndruar që dy ditë.

“Ka fëmijë të qatij kopshti ku e kam djalin, janë në Polmologji edhe në Infektivë ka fëmijë të kopshtit të njëjtë, edhe atje janë katër pesë veta. Djalin është sëmur para dy muajve i ka marrë dy virusa aty, ka ndejtë 10 ditë në spital. Tash është sëmur prap, por në këtë rast janë sëmur edhe më shumë fëmijë, për tre a katër veç këtu po i shoh, plus në Polmologji. Kom dëgju që ka raste të tjera. Djali që dy ditë nuk i ka çel sytë hiç, e para, dhe një fëmijë qenka afër meje i njëjtit kopsht qashtu me të njejtit rast.”, ka deklaruar prindi anonim.

Ai ka bërë të ditur se ende nuk është përcaktuar diagnoza e saktë, pasi që sipas tij, është në pritje të analizave, ndërsa ka treguar se në spital janë djali i tij 15-muajsh, një bebe 11-muajshe dhe dy binjakë nga i njëjti grup i kopshtit.

“Deri masdite ose nesër nuk e dimë çka ka saktë . Një e dimë që djali që dy ditë sytë nuk i ka çelë. As edhe një lëvizje të vogël. Djali jem 15 muajsh, një bebe 11 muaj, dhe dy binjakë të të njëjtit grup. Nga Polmologjia na kanë transferu në Infektivë. Djali jem e ka fillu që 3-4 muaj, unë si e kam dërgu me analzia në rregull, mas disa kohe mu ka sëmu dhe ka dalë me dy viruse që i ka marrë prej kopshtit, ka qenë në spital 10 ditë. Mandej, doktori ia ka shkru deri më 21 korrik mos me vaksinu, shkaku i viruseve, tash kena vzhdu e kena dërgu në kopsht, dhe u sëmu dhe nuk mundem me vaksinu.”, tha ai për Sinjalin.

Menaxherja e kopshtit VIP KIDS 2, ka konfirmuar se ka fëmijë të sëmurë.

“Jam në dijeni, fëmijët kanë fruth. Fruthi ju ka ra“, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Vera Berisha-Ndrejaj, ka konfirmuar se vetëm gjatë ditës së sotme janë regjistruar katër raste të reja me fruth.

Ajo tutje sqaroi se Klinika merret vetëm me trajtimin e pacientëve, ndërsa çështjet që lidhen me institucionin parashkollor i takojnë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Dy raste janë prej pediatrisë, frutha, që fillimisht janë spitalizu në pediatri. Përndryshe ne e kryjmë pjesën e trajtimit. Na si klinikë marrim çdo rast që është me fruth, i trjatojmë, ndërkohë për pjesën tjetër prej nga e cila është çerdhja, atëherë duhet me ju drejtu institutit. Përndryshe veç sot janë konfirmuar katër raste të reja, janë fëmijë, të gjithë të pavaksinuar. Përveç një që është vaksinu nja 10 ditë më përpara, dhe është reagim pas vaksninës.” e ka konfirmuar drejtoresha e Klinikës së Infektivës në QKUK, Vera Berisha-Ndreraj.

Të ngjashme