Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Gjurma”, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e disa rasteve të vjedhjeve të kryera në qytet. Si rezultat i veprimeve hetimore janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprimtari kriminale, shkruan vizionplus.tv.
Në pranga ka rënë E.U, 26 vjeç, banues në Lezhë, me precedent të theksuar penal për vjedhje, i cili dyshohet se gjatë muajit korrik 2026 ka vjedhur xhirot ditore në 9 subjekte të ndryshme në qytetin e Lezhës.
Gjithashtu është arrestuar edhe A.P, 39 vjeç, banues në Lezhë, i dyshuar për vjedhjen e një iPad-i dhe një çante me sende personale nga një automjet i parkuar.
Sipas policisë, në momentin e kapjes, 39-vjeçarit iu gjet iPad-i i vjedhur, të cilin sapo e kishte marrë pas riparimit në një dyqan në Shkodër. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua edhe çanta e vjedhur.
Policia bën me dije se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve dhe për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjes që mund të jenë kryer prej tyre. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.