18 muaj burg për një gabim shtypi, burri shpallet i pafajshëm pas gjashtë vitesh

Prishtinë | 30 Kor 2026 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Një gabim i vogël në një kërkesë zyrtare të policisë çoi në dënimin e një burri të pafajshëm, i cili kaloi 18 muaj në burg. Vetëm pas gjashtë vitesh u zbulua se gjithçka kishte nisur nga një nënvizim i munguar në një emër përdoruesi.

Ngjarja filloi në vitin 2018, kur policia në shtetin amerikan të Wisconsinit nisi hetimet pasi një burrë kishte shkëmbyer 125 mesazhe me një vajzë 12-vjeçare përmes aplikacionit “Kik”, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Nëna e vajzës kishte gjetur në telefonin e saj një fotografi intime të dërguar nga personi në fjalë dhe njoftoi autoritetet.

Hetuesit kërkuan nga kompania “Kik” të identifikonte përdoruesin me emrin “fus_ro_dah”, por në kërkesën zyrtare u bë një gabim. u shkrua vetëm një nënvizim, ndërsa llogaria e dyshuar kishte dy. Për pasojë, “Kik” u dërgoi autoriteteve adresën elektronike të një personi tjetër, Brandon Klayme, një shtetas kanadez që nuk kishte asnjë lidhje me rastin.

Nga adresa elektronike, hetimet çuan te Google dhe më pas te një adresë IP në Kanada. Rasti iu transferua policisë kanadeze, e cila identifikoi lidhjen e internetit si pronë të Klayme.

Në vitin 2020, policia bastisi banesën e tij dhe sekuestroi telefonat dhe kompjuterët. Analiza nuk zbuloi asnjë fotografi, asnjë bisedë dhe asnjë kontakt me vajzën. Hetuesit nuk arritën të provonin as që ai kishte përdorur aplikacionin “Kik” gjatë periudhës në fjalë.

Megjithatë, prokuroria ngriti akuza ndaj tij për komunikim seksual me të mitur. Brandon Klayme u arrestua, u shpall fajtor në vitin 2023 dhe në vitin 2024 u dënua me 18 muaj burg, dënim të cilin e vuajti plotësisht.

Vetëm gjatë përgatitjes së ankesës në vitin 2026, avokatët zbuluan gabimin fatal, emri i përdoruesit në kërkesën e policisë nuk përputhej me atë të autorit të vërtetë. Ky detaj nuk ishte përmendur kurrë gjatë procesit gjyqësor dhe gjyqtari nuk kishte qenë në dijeni të tij.

Në fund të korrikut 2026, Gjykata e Apelit e Nova Scotias e shpalli Brandon Klayme plotësisht të pafajshëm, duke rrëzuar dënimin dhe të gjitha masat e vendosura ndaj tij.

“Brandon Klayme është vërtetuar se është i pafajshëm. Ai nuk duhej të ishte akuzuar, e aq më pak të ishte dënuar”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas raportimeve të mediave, nëse policia do t’i kishte dërguar “Kik-ut” emrin e saktë të përdoruesit, hetimet do të kishin çuar te një person tjetër me emrin Jay, ndërsa gjurmët digjitale do të drejtonin drejt Kalifornisë.

Deri më tani nuk dihet nëse Brandon Klayme do të kërkojë dëmshpërblim për burgosjen e padrejtë, ndërsa fati i personit që dyshohet se përdorte llogarinë e vërtetë në “Kik” mbetet ende i panjohur.

Të ngjashme